Shkupi i thotë STOP gjenocidit në Gaza: Ky është momenti ku morali ynë është në provë – a jemi vërtet njerëz!

Një marshim proteste u mbajt sot në Shkup në shenjë solidariteti me popullin palestinez dhe dënimi të krimeve të luftës dhe rrethimit të Gazës. Qytetarë të shumtë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u mblodhën para monumentit “Simfonia e Paqes”, nga ku marshuan drejt Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar që institucionet shtetërore të ndërmarrin qëndrime të qarta kundër gjenocidit në Palestinë.
Marshimi u organizua nga nisma “Të gjithë për Palestinën”, e cila bëri thirrje për presion publik ndaj qeverisë që të dënojë pushtimin dhe mizoritë izraelite në Gaza.
“Sot jemi mbledhur këtu për t’i dhënë përkrahje një populli që për më shumë se një vit po përjeton një gjenocid. Nuk kemi dalë të ndajmë nëse kjo është luftë apo jo, por për të reaguar ndaj padrejtësisë. Kur ndalohet flota me ndihma humanitare, ushqimore e mjekësore për njerëzit e rrethuar, ne s’mund të heshtim,” tha njëri nga protestuesit.
Ai shtoi se, edhe pse qytetarët nuk mund ta ndalojnë luftën, zëri i tyre duhet të dëgjohet:
“Nuk mund ta ndalim luftën, por mund të dëgjohet zëri ynë që të shihet se edhe në Maqedoni përkrahet populli palestinez.”
Njëri nga pjesëmarrësit theksoi se momenti aktual është një “ditë gjykimi moral për njerëzimin”:
“Ky është momenti ku morali ynë është në provë – a jemi vërtet njerëz, a kemi empati, a mund të flejmë të qetë kur fëmijët e pafajshëm po vriten?”
Në protestë u lexuan edhe fjalime që kujtonin izolimin e popullit palestinez në Gaza, ku, siç u tha, “për 8 dekada njerëzit jetojnë në botën e vdekjes”.
“Në një territor sa Shkupi, jetojnë mbi 2 milion njerëz. 70 përqind e viktimave janë gra dhe fëmijë, ndërsa mbi 50 mijë fëmijë janë vrarë ose plagosur nga tetori i vitit 2023,” tha një tjetër protestues.
Brohoritjet “Liri për Palestinën!”, “Ndal gjenocidin!” dhe “Gaza do të jetojë!” u dëgjuan gjatë gjithë marshit.
“Besojmë se Gaza mund të shpëtohet përmes ndërhyrjes ndërkombëtare të aktivistëve nga e gjithë bota. Kërkojmë urgjentisht lirimin e 462 aktivistëve të rrëmbuar këto ditë nga ushtria sioniste,” tha një pjesëmarrës tjetër.
Marshimi përfundoi para ndërtesës së Qeverisë, ku protestuesit kërkuan njohjen e shtetit të Palestinës dhe veprime konkrete politike nga autoritetet maqedonase në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.