Shkupi dhe Sofja kanë rënë dakord për parametrat teknikë të korridorit 8 hekurudhor

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur marrëveshje për parametrat teknikë për ndërtimin e hekurudhës së Korridorit 8, njoftoi mbrëmë Ministria bullgare e Transportit, raportojnë mediat bullgare.
Departamenti i atjeshëm saktësoi se në një takim pune në Sofje, përfaqësuesit e dy vendeve ranë dakord që tuneli ndërkufitar “Deve Bair” të ishte më i përshtatshëm për t’u ndërtuar nga një kontraktor.
“Cila nga palët do të kryejë prokurimin publik për kontraktorin e objektit të tunelit, do të vendoset në bisedimet në vijim me institucionet potenciale financiare”, njoftojnë mediat bullgare.
Edhe nga ministria e Transportit në RMV konfirmojnë se në takim është pranuar nga të dyja palët që i gjithë projekti në seksionin e fazës 3 (seksioni Kriva Palankë – Deve Bair) të rishqyrtohet sepse çmimi aktual është shumë i lartë dhe i paarsyeshëm me synimin për uljen e tij.
Të dy delegacionet ranë dakord gjithashtu që të përdorin vendimin teknik të projektit për tunelin e dorëzuar nga NP Infrastruktura Hekurudhore.
Në takim, thonë nga Ministria e Transportit, u ra dakord që të dy vendet të formojnë grupe pune për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për tunelin.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ditë më parë në profilin e tij në Facebook, e ka cilësuar ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan, pjesë e Korridorit 8, si “projektin më të madh në historinë e Maqedonisë”./Telegrafi/



