Shkruhet historia: Shqipëria në EURO 2024 si fituese e grupit E!

Shqipëria jo vetëm që siguroi kualifikimin në EURO 2024, por edhe arriti të dalë fituese e grupit E të fazës së kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
Ka mjaftuar barazimi 0-0 me Ishujt Faroe në Tiranë që kuqezinjtë të ruajnë pozitën e parë në grup, duke lënë prapa kombëtare të forta si Çekia dhe Polonia.
Shqiponjat kualifikohen për herë të dytë në Kampionatin Evropian, pas kualifikimit në EURO 2016, ndërsa për herë të parë përfundojnë grupin si lider, shkruan Alfax.
Bashkë me Shqipërinë, nga grupi E u kualifikua edhe Republika Çeke, ndërsa Polonia e udhëhequr nga ylli i Barcelonës Robert Lewandovski përfundoi e treta dhe nuk arriti të sigurojë një biletë për në Gjermani.
Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm i kombëtares shqiptare ishte përfundimi i kualifikimeve pa pranuar asnjë gol në Tiranë. Në Air Albania kuqezinjtë fituan Çekinë (3-0), Poloninë (2-0) dhe Moldavinë (2-0), ndërsa barazuan me skuadrën modeste të Ishujve Faroe (0-0) kur kishte siguruar tashmë kualifikimin./Alfax/



