Shkoi n’burgun e Shutkës edhe djali i deputetit të BDI-së

Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas ankesës së Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, mori vendim me të cilin masa e arrestit shtëpiak për Asmir Jahoskin, në lidhje me hetimin për furnizimin e mazutit për TEC Negotinë, ndryshohet dhe caktohet masa e paraburgimit me kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Vendimi i marrë, siç informojnë nga Gjykata Penale, u dorëzua te palët në procedurë dhe është marrë njoftim nga stacioni policor kompetent se personi është siguruar dhe është dërguar në Burgun Hetues të Shkupit.
Këshilli Penal, duke vepruar sipas ankesës së PTHP-së për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake për A.J., si dhe duke shqyrtuar përgjigjen ndaj ankesës, mori vendim me të cilin: Masa e arrestit shtëpiak, e caktuar me vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, ndryshohet dhe caktohet masa e paraburgimit me kohëzgjatje prej 30 ditësh për shkak të ekzistimit të bazave sipas nenit 165, paragrafi 1, pika 1 dhe 2, përkatësisht rrezikut të arratisjes dhe rrethanave që tregojnë se i njëjti mund të pengojë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Shkupit.
PTHP për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dje e ankimoi vendimin për arrest shtëpiak për Asmir Jahoskin në lidhje me hetimin për furnizimin e mazutit për TEC Negotinë.
Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit shqyrtoi vendimin me të cilin nuk u pranua propozimi i prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ndaj të dyshuarit u caktua masa e arrestit shtëpiak dhe masa e kujdesit – konfiskimi i pasaportës dhe ndalimi i lëshimit të një pasaporte të re, njoftoi dje PTHP.
E pakënaqur me këtë vendim, siç thuhet në njoftim, Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, brenda afatit ligjor, paraqiti ankesë në Këshillin Penal të Gjykatës Themelore Penale Shkup për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës penale dhe kërkoi që Këshilli Penal të rishqyrtojë faktet e përfshira në ankesë, si dhe faktet vendimtare mbi të cilat është bazuar vendimi i ankimuar.