Shkatërrohet një bandë shqiptarësh në Spanjë, grabitën 13 banesa luksoze
Garda Civile dhe Policia Kombëtare spanjolle kanë shkatërruar një grup kriminal shqiptar, duke arrestuar pesë anëtarë të tij, të akuzuar për grabitjen e 13 banesave në të gjithë territorin spanjoll.
Grupi vepronte kryesisht në Salou, në provincën Tarragona, por më pas u shpërnda në disa provinca të tjera, përfshirë Alicante, Murcia, Madrid, Toledo, Granada dhe Jaén, ku realizoi grabitjet. Hetuesit zbuluan se anëtarët e grupit i fshihnin sendet me vlerë që vidhnin në një kasaforte, që u sekuestrua gjatë operacionit.
Pas hapjes së kasafortës, hetuesit gjetën bizhuteri të vjedhura dhe 21,800 euro.
Hetimi filloi nëntorin e kaluar, pasi u identifikuan grabitje të ngjashme në disa banesa. Grabitësit u zbuluan nga një automjet me të cilin largoheshin dhe që ishte i regjistruar në Itali.
Kjo informatë i mundësoi hetuesve të zbulojnë identitetet e anëtarëve të grupit, të gjithë me kombësi shqiptare, dhe të lokalizojnë vendndodhjen e tyre në Tarragona.
Pas një operacioni të koordinuar, pesë anëtarët e grupit u arrestuan dhe gjatë bastisjes u sekuestruan bizhuteri, aksesorë, telefona celularë, pajisje transmisioni dhe mjete për vjedhje. /euronews/