Shkaku i tarifave të Trumpit, inflacioni po godet SHBA-në

Ekonomistët paralajmërojnë se tarifat doganore të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump do të rrisin çmimet në SHBA duke e shtrenjtuar importin.

Norma zyrtare e inflacionit në SHBA për muajin qershor ishte 2.7 për qind. Kjo është pak më e lartë krahasuar me 2.4 për qind në muajin maj, por ende më e ulët se norma prej 3 për qind në muajin janar.

Grumbullimi i stoqeve në pjesën e parë të vitit ka ndihmuar tregtarët të përthithin ndikimin e tarifave të reja dhe më të larta, pa qenë nevoja të rrisin çmimet me pakicë.

Megjithatë, ekonomistët kanë vërejtur në të dhënat më të fundit zyrtare disa shenja që tregojnë se tarifat e Trumpit tashmë po fillojnë të ndikojnë në çmimet për konsumatorët amerikanë.

Disa mallra të importuara – si pajisjet e mëdha shtëpiake, kompjuterët, pajisjet sportive, librat dhe lodrat – kanë shfaqur një rritje të konsiderueshme të çmimeve në qershor.

Tarifat e reja përfshijnë shumicën e mallrave që hyjnë në SHBA, por ka edhe përjashtime që synojnë të mbrojnë amerikanët nga pagesa e çmimeve potencialisht më të larta për shkak të taksave doganore.

Trump ka pranuar të lejojë produktet e mbuluara nga marrëveshja e tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut të vazhdojnë të kalojnë kufirin pa u përballur me tarifa. Kjo përfshin shumicën dërrmuese të mallrave që shkëmbehen me Meksikën dhe Kanadanë, përfshirë artikuj si avokadot që janë bërë produkte bazë për shumë amerikanë.

Po ashtu, Trump ka hequr tarifat për lëngun e portokallit nga Brazili, i cili përndryshe do të përballej me tarifa prej 50 për qind. Në muajin prill, ai gjithashtu përjashtoi telefonat inteligjentë dhe disa pajisje të tjera elektronike.

Edhe mbështetësit e Trumpit kanë dyshime. Një sondazh i realizuar nga Politico-Public First në muajin qershor tregoi se vetëm gjysma e votuesve të Trumpit besojnë se tarifat e tij ndaj mallrave kineze do të përfitojnë kompanitë amerikane.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button