Shënime nga margjinat për Adem Demaçin

Demaçi, në vitin 1998, do të marrë pjesë në një debat me Vuk Drashkoviqin në radion “Zëri i Amerikës” – programi në gjuhën serbe, ku do të lidhet me anë të telefonit. Nga ky debat do të mbahet mend replika e Demaçit ndaj Drashkoviqit “Asnjëherë mos thuaj asnjëherë”. Përveç aktivitetit të tij patriotik e politik, në shkrimet e shumta ka mbetur pa u prezantuar mirë dimensioni biografik dhe njerëzor i tij. E këtu ka shumëçka për t’i kushtuar vëmendje.

Besnik EMINI, Tetovë

Duhet të ketë qenë viti 1991 kur një kushëri i imi solli me vete një libër të Adem Demaçit, që mbante titullin “Gjarpijt e gjakut”. Ende nuk e di si kishte rënë në duart e tija ky libër, por aty shkruante që ishte botuar në Lubjanë, e në njëfarë mënyre ishte si libër gjysmë ilegal, të cilin ndoshta e kishte blerë nga ndonjë shitës librash në rrugë në Tetovë.

Vite më pas, në gjithë faqen e parë të revistës letrare “Vlera”, që botohet në Tetovë, do të shfaqej portreti i Adem Demaçit, të cilit i kushtohej një pjesë e konsiderueshme e kësaj reviste. Edhe gazeta “Flaka” do të nxirrte shpesh artikuj që flisnin për lirimin nga burgu të kësaj figure patriotike, që njihej për vuajtjet e gjata të burgosjes plot 28 vite.

Megjithëse është shkruar e folur shumë për veprimtarinë e tij, shumë pak rëndësi i është dhënë jetëshkrimit të tij. Mjaft të dhëna me vlerë për një periudhë të jetës së tij gjinden në librin “Dashuria kuantike e filanit”. Aty ai flet për ngjizjen e frymëzimit patriotik, kur që i vogël i kishte dëgjuar krismat e ekzekutimeve të shqiptarëve nga organet shtetërore komuniste dhe arsyetimet e familjarëve të tij për mos t’ia treguar të vërtetën atij, sepse ishte fëmijë. Ai aty flet gjithashtu edhe për gërmimet e shpeshta të oborrit të shtëpisë nga organet shtetërore për të kërkuar armë të fshehura.

Në këtë libër lë përshtypje edhe një veprim tejet sublim. Kur e ndjeu se për shkak të angazhimit të tij politik po i afrohej rreziku që të burgosej, ai në një copë letër e shkruan emrin e vet dhe më pas këtë letër e djeg në një kthinë të shtëpisë së vet, për ta bindur veten, në njëfarë mënyre, që “Ademi i rëndomtë u dogj, e tani është një Adem që nuk do t’ia dijë për frikën, rreziqet, sfidat etj.”.

Pastaj te ky libër e përshkruan ditën e arrestimit në redaksinë e “Rilindjes”, ku punonte si gazetar. E përshkruan ndjesinë se si qëkur u fut atë ditë në godinën e “Rilindjes”, në  korridor vërejti një heshtje, një boshllëk, ndërkohë që drejtuesit kryesorë të “Rilindjes” kishin shkuar në “Komitet” për të marrë udhëzime se si do të veprohej ndaj tij. Pastaj ishte sugjerimi i një punonjëseje malazeze të “Rilindjes” që të arratiset, sepse kishte dijeni se do ta burgosin, gjë që ai nuk e bëri dhe vazhdoi të jetojë si një njeri i lirë… Gjatë arrestimit, policët do t’i pyesë se mos e kanë ngatërruar me ndonjë tjetër. Arrestimi do ta pengojë ta botojë edhe përmbledhjen e tregimeve “Bardh e zi” dhe do të ndalohet qarkullimi i romanit “Gjarpijt e gjakut”, ndërsa nëpër burgje shpesh do të takonte të burgosur që ishin dënuar vetëm pse e kishin lexuar pikërisht këtë roman, tanimë të ndaluar.

Aty e përshkruan edhe këshillën e një zyrtari gjatë hetuesisë që të pendohet dhe të tërhiqet nga rruga e gabuar dhe të ndërrojë mendje, nëse jo për veten, atëherë për hir të nënës së tij, që do të vuante shumë nga e tërë kjo situatë. Pastaj përshkruhet vuajtja e dënimit në burgjet jugosllave…

Një detaj tjetër interesant është përshkrimi i ardhjes së nënës së tij në burg, e cila kishte sjellë me vete edhe një kuti llokumi për ta njoftuar se i kishte lindur djali. Qëllimi i nënës së tij ishte që t’u japë llokum gardianëve. Ai e kundërshton këtë me fjalët që nuk duhet dhënë këtyre gjë, sepse pikërisht ata e mbajnë në burg. Më pas vjen fjalia epike e tij: “Nuk kishte gjë më të rëndë se ta përjetosh një gëzim e mos kesh me kë ta ndash…”.

Një biografi të Adem Demaçit me mjaft të dhëna të hollësishme e ka botuar edhe Shkëlzen Gashi në vitin 2010 në Prishtinë. Aty jepen plot citime të Demaçit, siç është ky: “Kur vendosa ta formoja organizatën ilegale, u përshëndeta nga të gjitha sentimentalizmat. U përgatita të ndahesha edhe nga nana, gruaja, fëmijët. Kështu, as arrestimi e as vetë burgu nuk më janë dukë si diçka e rëndë, sepse kur njëherë vendos se nuk je më, atëherë, në gjitha gjërat që mund të të ndodhin i pranon në mënyrë krejt të qetë. Natyrisht, ishte vështirë me e marrë një vendim të tillë”.

Te biografia e Shkëlzen Gashit (që mban nëntitullin “e paautorizuar”) thuhet se një i burgosur, pasi e kishte përfunduar burgun, ia kishte dhuruar mini-tranzistorin e tij të futur në një kuti cigaresh, në të cilin stacionet ndërroheshin me një fije shkrepëse. Atë Ademi e kishte përdorur ilegalisht, ndërsa pasi e kishte përfunduar burgun, ia kishte dhuruar një të burgosuri tjetër. Natën e fundit para se të lirohet nga burgu i dytë, që zgjati 10 vjet, do ta përshkruajë me fjalët: “Nata e fundit e burgut ishte pafundësisht e gjatë. Pikë gjumi nuk shtina në sy. Pas dhjetë vjetësh në burg, kisha ndjesinë sikur kisha ndejtë dhjetë vjet në frigorifer”.

Gjykimin e tij të fundit Demaçi do ta komentojë kështu: “Ky dënim ishte i mirëseardhur për mua, duke e pasë parasysh faktin se kam qenë i përcjellë në mënyrë aq rigoroze, sa as me ikë nuk mundesha. Mirëpo, isha aq i mençëm sa as nuk tentoja fare me ikë. Isha i bindur se dënimi im do t’i nxiste të tjetër për kryengritje. Kështu edhe ndodhi. Pikërisht siç e kisha dëshiruar. Me arrestimin tim, pushteti jugosllav më shumë ka humbë se ka fituar”.

Demaçi, në vitin 1998, do të marrë pjesë në një debat me Vuk Drashkoviqin në radion “Zëri i Amerikës” – programi në gjuhën serbe, ku do të lidhet me anë të telefonit. Nga ky debat do të mbahet mend replika e Demaçit ndaj Drashkoviqit “Asnjëherë mos thuaj asnjëherë”. Përveç aktivitetit të tij patriotik e politik, në shkrimet e shumta ka mbetur pa u prezantuar mirë dimensioni biografik dhe njerëzor i tij. E këtu ka shumëçka për t’i kushtuar vëmendje.

“Gëzimin më të madh e kam ndie kur isha i pikëlluar, kurse pikëllimin më të madh kur isha i gëzuar. Isha i pikëlluar atëherë kur më erdhi nana dhe ma dha lajmin për lindjen e djalit, sepse, i vetmuar në qeli, s’kisha as me kë ta ndaja atë gëzim. Kush s’e ka provuar, i ngjan e pabesueshme. E isha i gëzuar kur më erdhi lajmi për vdekjen e nanës, se një frikë e madhe më mbërthente sa herë më vizitonte: a thua do të jetë gjallë e të më vizitojë edhe një herë? Kështu, kur ajo vdiq, isha vetëm në qeli dhe u shfryva e, si një fëmijë i vogël, qava tri ditë rresht. Një barrë e madhe m’u hoq prej shpirtit. Kush s’e ka provuar, as këtë s’ka si ta besojë.”, shkruan Adem Demaçi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button