Shefi i OKB-së kritikon bllokadën e Izraelit ndaj Gazës, paralajmëron se ndihma humanitare është e “panegociueshme”

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka kritikuar bllokadën e Izraelit ndaj ndihmës humanitare në Rripin e Gazës që vazhdon për më shumë se dy muaj, transmeton Anadolu.
Duke folur në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit mbi Palestinën, Guterres tha se është i “alarmuar” nga deklaratat e zyrtarëve izraelitë që sugjeronin se ndihma humanitare mund të përdoret si një taktikë ushtarake.
“Ndihma është e panegociueshme”, tha Guterres, duke shtuar se “Izraeli duhet të mbrojë civilët dhe duhet të bjerë dakord për skemat e ndihmës dhe t’i lehtësojë ato”.
Shefi i OKB-së tha se situata mbetet e rëndë, me “asnjë fund në horizont për vrasjet dhe mjerimin”.
Ai shtoi se thyerja e marrëveshjes së armëpushimit më 18 mars i dha fund shpresave për lirimin e pengjeve dhe shpërndarjes së ndihmës shpëtimtare.
Duke iu referuar konfliktit më të gjerë, Guterres paralajmëroi se perspektiva e zgjidhjes me dy shtete është “në rrezik të zvogëlohet deri në pikën e zhdukjes” dhe angazhimi politik ndaj qëllimit afatgjatë është “më larg se kurrë”.
“Bota nuk mund të përballojë të shohë zgjidhjen me dy shtete të zhduket”, tha ai, duke u bërë thirrje liderëve global të veprojnë me vendosmëri.
“Liderët politik përballen me zgjedhje të qarta, zgjedhjen për të heshtur, zgjedhjen për ta pranuar ose zgjedhjen për të vepruar”, u shpreh ai.