Shefi i NATO-s sot në Bosnjë-Hercegovinë, nesër në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet ta vizitojë Kosovën të martën, teksa sot do të qëndrojë në Bosnjë-Hercegovinë.
Kjo vizitë është e para që kur Rutte e ka marrë postin e Shefit të NATO-s, nga ku edhe është bërë e ditur përmes një komunikate për media.
Gjatë vizitës në Bosnjë-Hercegovinë, Rutte do të takojë zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës, Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Ministrin e Punëve të Jashtme, atë të Mbrojtjes dhe Ministrin në deytrë të Sigurisë.
Kjo vizitë do të zhvillohet pas tensioneve në këtë shtet, ku presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik, mbrëmjen e 5 marsit ka nënshkruar dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë-Hercegovinës, me të cilat ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS). Ky dekret ka ngjallur reagime të shumta ndërkombëtare.
Pas kësaj vizite, Rutte pritet të arrijë në Kosovë bashkë me ambasadorët e NATO-s, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e Ruttes në Kosovë do të ndodhë disa javë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë.
Ai ka theksuar se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi është çështje e rëndësishme, duke shtuar se nuk sheh arsye për të dyshuar nëse do të ketë ndonjë ndryshim të theksuar në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në NATO.