Shefi i diplomacisë: Franca e vendosur për të njohur shtetin e Palestinës

Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot, ka përsëritur vendosmërinë e vendit të tij për njohjen e shtetit të Palestinës, transmeton Anadolu.

Gjatë fjalës së tij në një ngjarje të shoqërisë civile, të titulluar “Parisi bën thirrje për zgjidhje me dy shtete, paqe dhe siguri rajonale” dhe të organizuar nga Forumi i Paqes në Paris, Barrot tha se Franca do “të mbështesë të drejtat e popullit palestinez për vetëvendosje duke njohur shtetin e Palestinës”.

“E them përsëri, çfarëdo qofshin zhvillimet e fundit në rajon, Franca është e vendosur ta bëjë këtë”, tha Barrot.

Barrot paralajmëroi se është koha për të sjellë një zgjidhje politike për palestinezët dhe se ata do të përqendrohen në të gjatë konferencës së ardhshme të mbështetur nga OKB-ja mbi zgjidhjen me dy shtete, të bashkë-organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite në New York më vonë këtë muaj.

“Kjo zgjidhje politike përfshin krijimin e një shteti të qëndrueshëm palestinez me qeverisje të rinovuar, garanci të forta të sigurisë si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët”, tha ai.

Barrot bëri thirrje për “guxim” dhe “mobilizim të fortë” nga komuniteti ndërkombëtar drejt “rrugës së paqes”, duke përsëritur nevojën për “një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve, si dhe shpërndarjen masive dhe të papenguar të ndihmës humanitare në Gaza”.

“Zgjidhja me dy shtete, ndaj së cilës ne mbetemi të përkushtuar fort, një kusht për paqen dhe sigurinë në rajon dhe një kërkesë sipas ligjit ndërkombëtar, tani po përballet me kërcënime ekzistenciale… me shumëfishimin e masave të njëanshme në terren, përshpejtimin e zgjerimit të vendbanimeve dhe perspektivën e aneksimit, thellimin e urrejtjes dhe kolapsin e procesit të paqes”, theksoi ai.

Barrot tha se “shumë” civilë po paguajnë çmimin e luftës në Gaza që “ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë”.

“Ne u detyrohemi atyre me dhembshurinë tonë dhe çdo minutë duhet t’i kushtohet arritjes së një armëpushimi”, tha ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button