Shefi i diplomacisë austriake Schallenberg emërohet kancelar federal i përkohshëm

Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, ka njoftuar se ministri i jashtëm Alexander Schallenberg nga radhët e Partisë Popullore Austriake (OVP) do të marrë përkohësisht udhëheqjen e qeverisë duke filluar nga e premtja, transmeton Anadolu.

“Të premten, 10 janar 2025, në orën 11:00, presidenti federal Van der Bellen do t’i besojë ministrit federal Alexander Schallenberg vazhdimin e administrimit të Kancelarisë Federale dhe kryesimin e qeverisë së përkohshme federale në Kancelarinë e Presidentit”, thuhet në një njoftim nga zyra e presidentit.

Kjo shënon mandatin e dytë të Schallenberg si kancelar federal i përkohshëm, pasi mandati i tij i parë, nga 11 tetori deri më 6 dhjetor të vitit 2021, pasoi dorëheqjen e kancelarit të atëhershëm, Sebastian Kurz.

Emërimi i tij vjen pasi kancelari federal në largim, Karl Nehammer, të shtunën e kaluar njoftoi dorëheqjen e tij si kancelar dhe udhëheqës i partisë OVP. Vendimi për dorëheqjen e tij pasoi negociatat e pasuksesshme të koalicionit midis OVP-së, Partisë Social Demokrate (SPO) dhe Partisë Liberale (NEOS).

“Kemi provuar gjithçka deri më tani. Një marrëveshje për çështjet kyçe nuk është e mundur, kështu që një e ardhme pozitive për Austrinë nuk mund të diskutohet”, tha Nehammer në një deklaratë me shkrim.

Bisedimet e koalicionit kishin për qëllim parandalimin e një qeverie të udhëhequr nga Partia e Lirisë së Austrisë (FPO) e ekstremit të djathtë, e cila grumbulloi 28,85 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të 29 shtatorit, përqindja më e lartë midis të gjitha partive.

Pavarësisht kësaj, presidenti Van der Bellen për të formuar qeverinë fillimisht zgjodhi Nehammer-in kundrejt udhëheqësit të FPO-së, Herbert Kickl.

Të hënën, presidenti Van der Bellen ndryshoi kursin, duke e ngarkuar zyrtarisht Kickl-in për formimin e një qeverie.

“Kam disa dëshira, por respekti për votuesit dikton që ta pranoj këtë shumicë. Unë do të vazhdoj të siguroj që parimet dhe rregullat e kushtetutës sonë të respektohen në mënyrë korrekte”, tha presidenti austriak.

Kjo është hera e parë që nga viti 1945 që një përfaqësuesi të FPO-së i jepet mandati për të formuar një qeveri në Austri. Më herët, detyra u jepej ekskluzivisht anëtarëve të SPO-së ose OVP-së.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button