SHBA vendos sanksione të reja kundër flotës së naftës iraniane

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar sanksione të reja kundër “flotës në hije” të Iranit, duke synuar tregtarët e paligjshëm të naftës që, sipas Uashingtonit, financojnë shtypjen e popullit iranian.
Zëvendëssekretari i shtypit i Departamentit të Shtetit, Thomas Pigott tha se Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara vendosi sanksione ndaj tetë subjekteve dhe nëntë anijeve të lidhura me të ashtuquajturën “flotë në hije” të regjimit iranian.
Këto subjekte dyshohet se kanë transportuar naftë dhe produkte nafte iraniane – përfshirë gaz të lëngshëm nafte (LPG) – me vlerë qindra miliona dollarë, duke anashkaluar kufizimet ndërkombëtare dhe duke forcuar financiarisht regjimin dhe forcat e tij të sigurisë.
Uashingtoni thekson se, ndërsa segmente të mëdha të popullsisë iraniane po protestojnë kundër kolapsit ekonomik dhe keqmenaxhimit të përhapur, udhëheqja e vendit vazhdon të kanalizojë burimet drejt “përfaqësimeve të huaja, programeve të raketave dhe aktiviteteve ushtarake, në vend që të përmbushë nevojat themelore sociale”.



