SHBA vendos sanksione ndaj presidentit të Kubës për mënyrën si u trajtuan protestat e vitit 2021

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur për herë të parë sanksione ndaj presidentit të Kubës, Miguel Diaz-Canel, për mënyrën se si u trajtuan protestat kundër qeverisë katër vite më parë.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se po “kufizon vizat” për presidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë, bëri të ditur Sekretari i Shtetit Marco Rubio në një postim në platformën X të premten.

Ndër zyrtarët e sanksionuar përfshihen edhe Ministri i Mbrojtjes Alvaro Lopez Miera dhe Ministri i Brendshëm Lazaro Alberto Alvarez Casas.

Departamenti i Shtetit shtoi gjithashtu në listën e entiteteve të ndaluara edhe “Torre K”, një hotel 42-katësh në Havanë, me qëllim “të ndalimit të financimit të shtypjes nga regjimi kuban me dollarë amerikanë.”

“Ndërsa populli kuban vuan nga mungesa e ushqimit, ujit, ilaçeve dhe energjisë elektrike, regjimi shpenzon para për rrethin e tij të brendshëm,” tha Rubio, i cili është me prejardhje kubane.

Ai gjithashtu akuzoi Kubën për torturimin e liderit disident Jose Daniel Ferrer.

‘Mbrojtës i gjenocidit’

Ministri i Jashtëm kuban Bruno Rodriguez dënoi masat e fundit në një postim në X, duke thënë se administrata e presidentit amerikan Donald Trump nuk mund ta thyejë vullnetin e popullit kuban.

“SHBA-ja është në gjendje të vendosë sanksione migratore kundër liderëve revolucionarë dhe të mbajë një luftë ekonomike të gjatë e të pamëshirshme kundër #Kubës, por nuk ka aftësinë të thyejë vullnetin e këtij populli apo të udhëheqësve të tij,” shkroi Rodriguez.

Pas njoftimit, Johana Tablada, zëvendësdrejtore e departamentit amerikan në Ministrinë e Jashtme kubane, sulmoi Rubion, duke e quajtur atë “mbrojtës të gjenocidit, burgjeve dhe dëbimeve në masë.”

Protestat e rralla të vitit 2021 shpërthyen pas ndërprerjeve të përsëritura të energjisë elektrike në Havanë dhe qytete të tjera.

Në atë kohë, qeveria kubane e konsideroi situatën si rezultat të një fushate mediatike të SHBA-së dhe dekadave të sanksioneve amerikane.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button