SHBA sanksionon tre bashkëpunëtorë të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik

Departamenti amerikan i Thesarit tha se ka sanksionuar tre individë që kanë ndihmuar përpjekjet e presidentit të Republikës Serbe Milorad Dodik, për të dëmtuar paqen dhe qëndrueshmërinë e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Branislav Okuka, Jelena Pajiç Bastinac dhe Srebrenka Goliç, kanë punuar për organizimin e përkujtimit të “Ditës së Republikës Serbe” me 9 janar 2024, një veprimtari e cilësuar si antikushtetuese në Bosnjë, duke lehtësuar përpjekjet e Milorad Dodikut për të dëmtuar Marrëveshjen e Paqes, autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjën.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për përpjekjet e vazhdueshme për të dëmtuar Marrëveshjen e Paqes dhe Kushtetutën e Bosnjës, dy institucione thelbësore për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit Brian E. Nelson. “Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës ata që kërkojnë të mbjellin ndarje për të arritur qëllimet e tyre politike në kurriz të popullit të Bosnjës”, tha ai.
Më 8, 9 dhe 10 janar të vitit 2024, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit, qeveria e entitetit të Republikës Serbe organizoi kremtimet në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, që e ka shpallur këtë ditë jokushtetuese sepse i jep përparësi “trashëgimisë fetare, traditës dhe zakoneve vetëm të popullit serb” dhe në këtë mënyrë shkelet detyrimi kushtetues për mosdiskriminimin.
Përfaqësuesi i Lartë (Christian Shmidt) deklaroi se festimi i 9 janarit paraqet “një dështim të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të zbatuar vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës”. Ai vuri në dukje se një mospërputhje e tillë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese paraqet një vepër penale, thuhet në njoftim, në të cilin mes tjerash theksohet se sanksionet “janë pjesë e përpjekjeve më të gjera të qeverisë amerikane për të promovuar paqen, qëndrueshmërinë dhe qeverisjen funksionale demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Departamenti amerikan i Shtetit, tha se të sanksionuarit kanë mbështetur përpjekjet e Milorad Dodikut “për të dëmtuar Marrëveshjen e Paqes, Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë gjë që paraqet një rrezik të konsiderueshëm për paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale”.
Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë. Paqja u vendos në Dejton të Shteteve të Bashkuara.
Udhëheqësi serb Milorad Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, është përpjekur hapur të ndajë territoret serbe nga pjesa tjetër e Bosnjës dhe t’i bashkojë ato me Serbinë fqinje. Ai është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara në janar të vitit 2022 dhe në vitin 2017 për dëmtim të Marrëveshjes së Dejtonit.
Ekziston frika e përhapur se Serbia, një aleate e Rusisë, mund të nxisë tensionet në Ballkan për të hequr të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga lufta në Ukrainë.

