SHBA refuzon urdhrat e arrestit të GJNP-së për Netanyahun dhe Gallantin
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë kategorikisht sot vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për lëshimin e urdhrave të arrestit për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për veprimet e tyre në luftën në Gaza, raporton Anadolu.
“Shtetet e Bashkuara refuzojnë thelbësisht vendimin e Gjykatës për lëshimin e urdhrave të arrestit për zyrtarët e lartë izraelitë. Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar nga nxitimi i prokurorit për të kërkuar urdhra arresti dhe gabimet shqetësuese të procesit që çuan në këtë vendim”, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Anadolu.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi këtë çështje. Në koordinim me partnerët, duke përfshirë Izraelin, ne po diskutojmë hapat e ardhshëm”, tha ai.
Gjykata me bazë në Hagë më herët gjatë ditës njoftoi urdhrat e arrestit për Netanyahun dhe Gallantin “për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera nga të paktën 8 tetori 2023 deri të paktën më 20 maj 2024”, datë kur prokurori i GJNP-së Karim Khan kërkoi lëshimin e fletarrestimeve.
Duke vepruar kështu, ajo gjithashtu hodhi poshtë njëzëri sfidimin ndaj juridiksionit nga ana e Izraelit sipas neneve 18 dhe 19 të Statutit të Romës.
Në lidhje me krimet e dyshuara, gjykata tha se “ka gjetur baza të arsyeshme” për të besuar se Netanyahu dhe Gallant “secili mbajnë përgjegjësi penale për krimet e mëposhtme si bashkëpunëtorë për kryerjen e akteve së bashku me të tjerët: krimi i luftës i urisë si një metodë lufte; dhe krimet kundër njerëzimit vrasje, persekutim dhe akte të tjera çnjerëzore”.
Urdhrat e arrestit vijnë ndërsa ofensiva gjenocidale e Izraelit në Gaza kohët e fundit ka hyrë në vitin e saj të dytë, duke vrarë tashmë rreth 44.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur mbi 103.000 të tjerë.