SHBA prezanton një plan me 21 pika për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të hapur rrugën drejt shtetit palestinez

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) u prezantuan disa liderëve arabë dhe myslimanë një draft-plan me 21 pika, për të cilin thonë se synon t’i japë fund luftës në Gaza dhe të hapë rrugën për krijimin e një shteti të pavarur palestinez.

“Times of Israel” pati qasje ekskluzive në dokumentin që administrata e presidentit amerikan Donald Trump e ndau me liderët arabë dhe myslimanë.
Plani parashikon lirimin e pengjeve, largimin e Hamasit nga pushteti, si dhe “deradikalizimin e popullsisë palestineze”, pra përmban edhe klauzola që Izraeli prej kohësh i ka kërkuar. Përveç kësaj, në të parashikohet tërheqja e detyrueshme e Izraelit nga territoret e pushtuara, por pa afat të qartë kur Forcat e Mbrojtjes së Izraelit duhet të tërhiqen.

Nga ana tjetër, plani garanton që popullsia palestineze do të mbetet në Gaza, gjë që përbën një hap përpara për administratën Trump në këtë drejtim, duke pasur parasysh që në shkurt Trump tronditi botën me idenë e zhvendosjes së përhershme të dy milionë banorëve të Gazës.

Propozimi parashikon gjithashtu një rrugë drejt shtetit të ardhshëm palestinez pas përparimit të rindërtimit të Gazës dhe përfundimit të reformës së Autoritetit Palestinez, gjë që përfaqëson një devijim nga politika aktuale e administratës Trump, pasi deri tani ajo ka shmangur shprehimisht mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete. Plani sërish nuk parashikon njohjen amerikane të Palestinës, as nuk e lë të kuptohet këtë.

21 pikat kryesore të planit:
1. Gaza do të deradikalizohet – zonë pa terror që nuk paraqet kërcënim për fqinjët.
2. Gaza do të rindërtohet në dobi të popullit të saj.
3. Nëse të dyja palët pranojnë propozimin, lufta do të përfundojë menjëherë dhe forcat izraelite do të ndalin të gjitha operacionet dhe do të tërhiqen gradualisht nga Rripi.
4. Brenda 48 orëve nga pranimi publik i marrëveshjes nga Izraeli, të gjithë pengjet e gjallë dhe trupat e të vdekurve do të kthehen.
5. Pas kthimit të pengjeve, Izraeli do të lirojë disa qindra të burgosur palestinezë me burgim të përjetshëm dhe mbi 1.000 banorë të Gazës të arrestuar që nga fillimi i luftës, së bashku me trupat e disa qindra palestinezëve.
6. Pas kthimit të pengjeve, anëtarët e Hamasit që angazhohen për bashkëjetesë paqësore do të marrin amnisti, ndërsa ata që duan të largohen nga Gaza do të kenë kalim të sigurt drejt vendeve pritëse.
7. Pas arritjes së marrëveshjes, ndihma humanitare do të hyjë në Gazë me ritëm jo më të ulët se marrëveshja e janarit 2025 për pengjet (600 kamionë ndihmë në ditë), përfshirë rehabilitimin e infrastrukturës kritike dhe sjelljen e pajisjeve për heqjen e rrënojave.
8. Ndihma do të shpërndahet pa ndërhyrje nga asnjë palë, nga OKB dhe Gjysmëhëna e Kuqe, së bashku me organizata të tjera ndërkombëtare që nuk lidhen as me Izraelin dhe as me Hamasin. (Ky tekst lë hapësirë për vazhdimin e punës së Gaza Humanitarian Foundation – GHF, pasi teknikisht është organizatë amerikane, edhe pse ide e izraelitëve. Qindra palestinezë janë vrarë në qendrat e shpërndarjes së GHF-së që nga fillimi i punës së saj.)
9. Gaza do të administrohet nga një qeveri kalimtare e përkohshme palestineze me teknokratë, e ngarkuar me ofrimin e shërbimeve të përditshme. Ky komitet do të mbikëqyrë një organ të ri ndërkombëtar që do të formohet nga SHBA në konsultim me partnerë arabë dhe evropianë. Ai do të vendosë një kornizë për financimin e rindërtimit deri në përfundimin e reformave nga Autoriteti Palestinez.
10. Do të krijohet një plan ekonomik për rindërtimin e Gazës me mbledhjen e ekspertëve që kanë përvojë në ndërtimin e qyteteve moderne në Lindjen e Mesme dhe me rishikimin e planeve ekzistuese për tërheqje investimesh dhe krijim të vendeve të punës.
11. Do të krijohet një zonë ekonomike me tarifa dhe çmime të reduktuara, që do të bien dakord vendet pjesëmarrëse.
12. Askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza, por atyre që vendosin të ikin do t’u lejohet kthimi. Banorët e Gazës do të inkurajohen të qëndrojnë dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë aty.
13. Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e Gazës.
14. Partnerët rajonalë do të ofrojnë garanci sigurie për t’u siguruar që Hamasi dhe fraksione të tjera në Gaza t’i përmbahen obligimeve dhe të mos përbëjnë kërcënim për Izraelin apo popullin e tyre.
15. SHBA do të punojë me partnerë arabë dhe ndërkombëtarë për të zhvilluar forca të përkohshme stabilizuese ndërkombëtare që do të dislokohen menjëherë në Gaza për të mbikëqyrur sigurinë. Këto forca do të zhvillojnë dhe trajnojnë forcat policore palestineze si trupë afatgjatë për sigurinë e brendshme.
16. Izraeli nuk do ta okupojë ose aneksojë Gazën, dhe IDF gradualisht do t’ia dorëzojë territorin forcat ndërkombëtare të stabilizimit ndërsa ato vendosin kontrollin dhe stabilitetin.
17. Nëse Hamasi e shtyn ose e refuzon propozimin, pikat e mësipërme do të zbatohen në zonat pa terror, të cilat IDF gradualisht do t’i dorëzojë forcave ndërkombëtare të stabilizimit.
18. Izraeli bie dakord të mos kryejë sulme të ardhshme në Katar. SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar e njohin rolin e rëndësishëm të Dohas si ndërmjetës në konfliktin e Gazës.
19. Do të vendoset një proces deradikalizimi i popullsisë. Kjo do të përfshijë dialog ndërfetar për të ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe narrativat në Izrael dhe Gaza.
20. Kur të përparojë rindërtimi i Gazës dhe të kryhet programi i reformave, mund të krijohen kushtet për një rrugë të besueshme drejt shtetit palestinez – që njihet si aspiratë e popullit palestinez.
21. SHBA do të krijojë dialog mes Izraelit dhe palestinezëve për të arritur një horizont politik për bashkëjetesë paqësore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button