SHBA planifikon një paketë të re armësh për Izraelin

Administrata e presidentit amerikan, Xho Bajden, u ka thënë ligjvënësve se do t’i dërgojë edhe 1 miliard dollarë shtesë armë dhe municione Izraelit, thanë tre këshilltarë të Kongresit. Por, ende nuk dihet se sa shpejt do të dërgohen armët.

Kjo është dërgesa e parë e armëve për Izraelin që bëhet publike që kur administrata vendosi gjatë këtij muaji që të ndalonte dërgimin e një dërgese – ku përfshihen 3.500 bomba – në Izrael. Administrata amerikane tha se pauzoi dërgimin e këtyre bombave për shkak të shqetësimeve për numrin e civilëve të vrarë në Gazë dhe që Izraeli të mos i përdorë këto municione në ofensivën e tij në qytetin Rafah të Gazës.

Paketa, për të cilën njoftuan këshilltarët të martën, më 14 maj, përfshin 700 milionë dollarë municione për tanke, 500 milionë për makina taktike dhe 60 milionë për municione për mortajat, thanë këshilltarët të cilët folën në kushte anonimiteti, pasi kjo dërgesë e armëve ende nuk është bërë publike nga administrata.

Ende nuk ka tregues se kur këto armë do të dërgohen në Izrael. Dy këshilltarë thanë se dërgesa nuk është pjesë e paketës së ndihmës që Kongresi miratoi dhe më pas Bajden e nënshkroi në ligj muajin e kaluar. Po ashtu, nuk dihet nëse këto armë janë pjesë e ndonjë shitje ekzistuese të armëve apo ndonjë marrëveshje e re.

Administrata Bajden është përballur me kritika nga spektri politik për shkak të mbështetjes ushtarake për luftën e Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë që tashmë është në muajin e shtatë. Këto kritika vijnë në kohën kur Bajden po lufton që të mposhtë në zgjedhjet presidenciale ish-presidentin Donald Tramp.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button