SHBA nuk sheh gjenocid në Gaza

Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë veprime në Rripin e Gazës të cilat përbëjnë gjenocid, tha të mërkurën vonë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, pasi Afrika e Jugut e dërgoi Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për “gjenocid” gjatë luftës së tij në enklavën palestineze.
“Këto janë akuza të cilat nuk duhet të bëhen lehtë… ne nuk po shohim ndonjë veprim i cili mund të përbëjë gjenocid. Ky është qëndrimi i Departamentit të Shtetit”, tha Miller gjatë konference me gazetarë.
Ai ishte pyetur për kërkesën e Afrikës së Jugut, e cila kërkoi të martën që Gjykata Ndërkombëtare ta lëshojë një urdhër që Izraeli i ka shkelur detyrimet e veta nga Konventa e Gjenocidit e vitit 1948.
Gjykata ka vendosur ta shqyrtojë kërkesën e Afrikës Jugore në seanca dëgjimore me 11 dhe 12 janar.
Izraeli ka thënë se do ta mbrojë veten nga këto akuza.



