SHBA ndan 200 milionë dollarë ndihma shtesë ushtarake për Ukrainën

SHBA-ja njoftoi se do të dërgojë një paketë shtesë ndihme ushtarake në vlerë prej 200 milionë dollarësh në Ukrainë, e përbërë kryesisht nga municione të mbrojtjes ajrore dhe artilerie, për nevojat “kritike” të sigurisë dhe mbrojtjes së Ukrainës, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), përfshihen detaje rreth paketës së re të ndihmës ushtarake që do t’i ofrohet Ukrainës.
Paketa shtesë e ndihmës ushtarake, e cila do të ndihmojë “Ukrainën të mbrojë territorin e saj”, përfshin mbrojtjen ajrore, municione artilerie, armë antitank dhe pajisje të tjera me vlerë prej 200 milionë dollarësh.
Për këtë çështje në llogarinë e tij në rrjetet sociale ka dhënë një deklaratë edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili tha se SHBA-ja është e vendosur të mbështesë Ukrainën.
Mbështetje e plotë nga Bideni për Ukrainën, reagim i ashpër ndaj republikanëve
Në konferencën e përbashkët për media me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se ata do të vazhdojnë t’i ofrojnë mbështetje të plotë Ukrainës në luftën e saj me Rusinë. Biden theksoi se Moska do të ishte më e kënaqur në rast të bllokimit të paketës së ndihmës për Ukrainën nga ana e republikanëve në Senat.
Ai potencoi se do të vazhdojnë mbështetjen më të fortë që i kanë dhënë Ukrainës deri më tani. Biden shtoi se si demokratët ashtu edhe republikanët e kanë mbështetur Ukrainën deri më tani dhe se është thelbësore që kjo të vazhdojë.
Zelenskyy deklaroi se mbështetja e SHBA-së në luftën në Ukrainë ishte shumë e rëndësishme për ta dhe se hapat e Rusisë që e zgjatën edhe më tej luftën e dëmtuan rajonin.



