SHBA miraton shitjen e armëve ndaj Izraelit në vlerë prej 151.8 milionë dollarësh

Administrata e presidentit Donald Trump ka miratuar një shitje të mundshme armësh për Izraelin në vlerë prej 151.8 milionë dollarësh, duke përdorur autorizimin “emergjent” për të anashkaluar kërkesat për shqyrtim nga Kongresi, teksa Washingtoni dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ndaj Iranit, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga Byroja për Çështje Politiko-Ushtarake e Departamentit të Shtetit, shitja e propozuar përfshin 12 mijë trupa bombash të tipit BLU-110A/B me përdorim të përgjithshëm, me peshë 1 mijë paund, si dhe shërbime mbështetjeje inxhinierike, logjistike dhe teknike.
“Sekretari i Shtetit ka përcaktuar dhe ka ofruar një arsyetim të detajuar se ekziston një emergjencë që kërkon shitjen e menjëhershme për Qeverinë e Izraelit”, tha agjencia, duke anashkaluar kërkesat për shqyrtim nga Kongresi sipas Nenit 36(b) të Aktit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.
Në deklaratë thuhet se kontraktori kryesor për shitjen e propozuar do të jetë kompania Repkon USA, me seli në Garland, Teksas, ndërsa një pjesë e trupave të bombave pritet të transferohet nga rezervat ekzistuese të SHBA-së.
Miratimi vjen mes përshkallëzimit të tensioneve rajonale pas sulmeve ajrore të përbashkëta SHBA-Izrael kundër Iranit, të nisura më 28 shkurt, që kanë vrarë më shumë se 1 mijë persona, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Konflikti ka shkaktuar paqëndrueshmëri të gjerë rajonale dhe sulme hakmarrëse nga Teherani kundër objekteve të lidhura me SHBA-në në të gjithë rajonin. Një sulm me dron në Kuvajt vrau gjashtë ushtarë amerikanë në një qendër taktike operacionale.
Ky vendim vjen gjithashtu në një kohë kur kritikat në Kongresin e SHBA-së për transferimet e armëve amerikane drejt Izraelit janë rritur gjatë luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës. Në korrik, një rekord prej 27 senatorësh demokratë votuan në favor të një rezolute për të bllokuar disa shitje armësh ndaj Izraelit, duke përmendur shqetësime për viktimat civile dhe krizën humanitare në Gaza, megjithëse masa në fund nuk u miratua.



