SHBA-ja shpallin “Clan del Golfo” të Kolumbisë si Organizatë Terroriste të Huaj

Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur kartelin më të madh të drogës në Kolumbi, “Clan del Golfo”, si Organizatë Terroriste të Huaj dhe Terrorist Global të Përcaktuar në Mënyrë Specifike, njoftoi sot Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, trasnmeton Anadolu.
Rubio e akuzoi grupin se është një organizatë kriminale e dhunshme me mijëra anëtarë me bazë në Kolumbi, ku trafikimi i kokainës përbën burimin kryesor të të ardhurave, të cilat përdoren për të financuar aktivitete të dhunshme.
“Clan del Golfo është përgjegjës për sulme terroriste kundër zyrtarëve publikë, forcave të rendit dhe personelit ushtarak, si dhe kundër civilëve në Kolumbi”, tha Rubio.
Ai theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë të përdorë “të gjitha mjetet e disponueshme” për të mbrojtur vendin dhe për të ndaluar fushatat e dhunës dhe terrorit të kryera nga kartelët ndërkombëtarë dhe organizatat kriminale transnacionale. “Ne jemi të përkushtuar t’ua mohojmë këtyre terroristëve financimin dhe burimet”, shtoi ai.
Clan del Golfo, i njohur gjithashtu si Forcat Vetëmbrojtëse Gaitaniste të Kolumbisë, është një grup neoparamilitar dhe karteli më i madh i drogës në Kolumbi, me rreth 9.000 anëtarë.
Më herët gjatë muajit dhjetor, qeveria e Kolumbisë dhe “Clan del Golfo” nënshkruan një deklaratë në Katar për çarmatimin e grupit dhe mbështetjen e procesit të ndërtimit të paqes në rajonet ku ai ushtron ndikim.
Ish-udhëheqësi i grupit, Dairo Antonio Usuga David, i njohur si “Otoniel”, u kap në tetor 2021 në rajonin Uraba të Kolumbisë.
Shtetet e Bashkuara kanë kryer të paktën 22 sulme në rajon ndaj anijeve që dyshohet se transportonin narkotikë që nga muaji shtator, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 87 personave, dhe kanë zgjeruar operacionet ushtarake në gjithë Amerikën Latine. Washingtoni nuk ka paraqitur prova për pretendimet lidhur me trafikimin e drogës nga këto anije.



