ShBA-ja sanksionon “flotën në hije” të Iranit për represion ndaj protestuesve

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të premten sanksione ndaj nëntë anijeve dhe tetë kompanive të lidhura me të ashtuquajturën “flotë në hije” të Iranit, duke rritur presionin ndaj Teheranit për shkak të vrasjes së demonstrantëve, njoftoi Ministria amerikane e Financave.

Sipas Ministrisë së Financave, anijet dhe pronarët ose kompanitë e tyre menaxhuese, me seli në vende si India, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë transportuar në tregje të huaja naftë dhe derivate nafte iraniane me vlerë qindra milionë dollarë.

Si arsye u përmend “shtypja brutale e demonstruesve paqësorë nga ana e Iranit dhe ndërprerja e plotë e aksesit në internet për të fshehur abuzimet ndaj popullit iranian”.

“Sanksionet e sotme synojnë një komponent kyç të mënyrës se si Irani gjeneron fonde që përdoren për represion ndaj popullit të vet”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent, duke shtuar se të ardhurat nga eksporti i naftës po ridrejtohen për financimin e shërbimeve iraniane të sigurisë, programeve të armatimit dhe aktorëve rajonalë, në vend që të përdoren për shërbime bazë për qytetarët iranianë.

Në një njoftim të veçantë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se ky veprim i fundit “do ta kufizojë më tej aftësinë e Iranit për të eksportuar naftë dhe derivate nafte përmes mekanizmave të paqartë dhe mashtrues, si dhe do ta kufizojë më tej aftësinë e tij për të financuar represionin ndaj iranianëve dhe sjelljen keqdashëse ndërkombëtare”.

Irani është tronditur nga valë protestash që nga muaji i kaluar, duke nisur më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit, për shkak të rënies së shpejtë të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më pas u përhapën në disa qytete të tjera.

Zyrtarët iranianë kanë akuzuar ShBA-në dhe Izraelin për mbështetje të asaj që ata e përshkruajnë si “rebelë të armatosur”, të cilët kanë kryer disa sulme në vende publike në mbarë vendin.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar disa herë se do të “godiste fort” nëse demonstrantët do të vriteshin, por më vonë ka lavdëruar Teheranin për anulimin e supozuar të qindra ekzekutimeve të planifikuara.

“Wall Street Journal” raportoi të martën se Trump po ushtron presion mbi bashkëpunëtorët e tij për opsione ushtarake “vendimtare” kundër Iranit, pasi ishte tërhequr nga sulme të mundshme. /TRT Balkan/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button