SHBA: Gjyqtari federal miraton hapjen e dokumenteve në çështjen Epstein–Maxwell

Një gjyqtar amerikan miratoi të martën kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të bërë publike dokumentet e jurisë së madhe që lidhen me çështjen e Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e Jeffrey Epstein, e cila aktualisht po vuan dënimin për trafikim seksual.
Në urdhrin e tij me shkrim, gjykatësi federal Paul Engelmayer deklaroi se hapja e dokumenteve bëhet në përputhje me Aktin e Transparencës së Dosjeve Epstein – një ligj i miratuar së fundmi nga Kongresi. Ai theksoi se po vendoset një mekanizëm mbrojtës për të siguruar që identitetet e viktimave të mos zbulohen dhe privatësia e tyre të mos cenohet.
Vendimi i Engelmayer vjen pak ditë pas një urdhri të ngjashëm nga një gjykatë në Florida, e cila lejoi publikimin e dokumenteve në një tjetër proces gjyqësor që përfshinte Epstein.
Projektligji, i miratuar nga Kongresi i kontrolluar nga republikanët, detyron Prokuroren e Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi, të publikojë dosjet e paklasifikuara që lidhen me hetimet ndaj Epstein dhe Maxwell.
Fillimisht, Presidenti Donald Trump u kishte kërkuar ligjvënësve republikanë të kundërshtonin këtë masë, duke paralajmëruar se publikimi i dokumenteve të brendshme hetimore mund të krijonte një precedent të rrezikshëm për presidencën. Megjithatë, ai ndryshoi qëndrim pasi u bë e qartë se projektligji gëzonte mbështetje të fortë dypartiake dhe do të miratohej pavarësisht qëndrimit të tij.



