SHBA dhe Japonia thirrje Izraelit “të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar”

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida i bënë thirrje Izraelit, për të cilin thanë se “ka të drejtë të vetëmbrohet”, të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojë civilët, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Biden dhe Kishida janë takuar në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) të mbajtur në San Francisko të SHBA-së.
Në takim, krahas sigurisë globale dhe rajonale u diskutuan edhe çështjet për rritjen e bashkëpunimit dypalësh të sigurisë dhe ekonomisë. Në takimin ku u theksua se “Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten” ndër të tjera Izraelit iu bë thirrje që të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojë civilët.
U diskutuan çështjet rajonale
Biden dhe Kishida ranë dakord të punojnë së bashku me qëllim dërgimin e nevojave urgjente për civilët në Gaza si dhe premtuan të bashkëpunojnë për të parandaluar përhapjen e konfliktit dhe për çështjen e paqes së përhershme.
Dy liderët gjithashtu diskutuan vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën si dhe rëndësinë e vazhdimit të paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit, Gadishullin e Koresë dhe në Detin e Kinës Lindore dhe Jugore.
Biden dhe Kishida ranë dakord edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes.



