SHBA, 24 anëtarë të Kongresit ftojnë Bidenin “të bëjë thirrje për armëpushim në Gaza”

Në SHBA, 24 anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve theksuan “shqetësimet e tyre të thella” në lidhje me sulmet e Izraelit në Gaza dhe ftuan presidentin Joe Biden “të bëjë thirrje për armëpushim”, raporton Anadolu.
Anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve në një letër dërguar Bidenit tërhoqën vëmendjen se në Gaza ka “shkelje shumë serioze të të drejtave të njeriut”.
Në letër thuhet se nëse konflikti nuk ndalet menjëherë, do të humbin jetën më shumë civilë si dhe paralajmërohet se me këtë rast SHBA-ja mund të futet në konflikt me grupet e armatosura në Lindjen e Mesme.
Gjithashtu në letër vihen në dukje të drejtat e fëmijëve dhe se të gjitha palët në këtë konflikt të armatosur kanë përgjegjësinë të mbrojnë fëmijët. “Ndihmat humanitare që SHBA-ja ka dërguar për Gazën kanë efekt të vogël në terren. Kërkojmë ndalimin sa më parë të konfliktit dhe bombardimeve si dhe dërgimin e ndihmës për të cilën kanë nevojë civilët palestinezë”, theksohet në letër.
Më tej thuhet se ndërhyrja ushtarake nuk është zgjidhje për konfliktin Izrael-Palestinë ndërsa ftohet administrata Biden të paraqesë një qëndrim të qartë kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.
“Duke marrë parasysh se presidenti nuk ka plan që qartë strategjik, kërkojmë që përmes një armëpushimi të bëhen më shumë përpjekje për uljen e tensioneve në rajon dhe që të ketë më shumë komunikim me aktorët në rajon, përfshirë organizatat ndërkombëtare të ndihmës humanitare”, thuhet në letër.



