Shaban Jashari dekorohet me urdhrin Hero i Kosovës
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/ShabanMuratJashari-660x330-1.jpg)
Në 17-vjetorin e pavarësisë, presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar një numër personalitetesh e institucionesh. Me urdhrin Hero i Kosovës është dekoruar post mortem edhe Shaban Jashari, i cili gjatë rezistencës së armatosur në marsin e 1998-s, ka rënë në shtëpinë e tij me 21 anëtarë të familjes, përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari.
Presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar post mortem të martën kryefamiljarin e familjes Jashari nga Prekazi, Shaban Jasharin, me urdhrin Hero i Kosovës.
Osmani tha se në përvjetorin e 17-të të pavarësisë, Shaban Jashari dhe familja e tij nderohen për sakrificën e pashembullt për lirinë e Kosovës.
“Me të drejtë, komandanti Adem Jashari, Hamza e shumë të tjerë, janë nderuar me Urdhrin Heroi i Kosovës. E sot, titullin hero, do t’ia ndajmë Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari. Deri më sot, familja Jashari si e tillë, si emblemë e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime, nuk është dekoruar në tërësi për heroizmin, sakrificën dhe qëndresën e saj të pashembullt. Dekorimi i sotëm i familjes Jashari në tërësi vjen si një akt që synon ta plotësojë këtë mungesë historike, duke e njohur sakrificën e përbashkët të çdo anëtari të familjes që qëndroi dhe luftoi për lirinë e Kosovës”, ka thënë presidentja Osmani.
Gjatë rezistencës së armatosur ndaj sulmit të forcave të Serbisë në fillim të marsit të 1998-s, Shaban Jashari u vra në shtëpinë e tij në Prekaz, bashkë me 22 anëtarë të familjes, përfshirë komandantin legjendar Adem Jashari.
Mbijetoi brenda shtëpisë së kthyer në rrënoja, vetëm mbesa e tij, Besarta Jashari.
Të martën, ajo e pranoi dekoratën post mortem.
“Rruga deri në 17 shkurtin e vitit 2008 nuk ka qenë e lehtë. Përpos nevojës dhe kërkesës për liri është dashur veprim e edhe vetëmohim. Andaj faleminderit secilit, faleminderit edhe kombeve që na kanë besuar dhe na kanë mbështetur. Faleminderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Jashari.
E, presidentja Osmani theksoi se në përvjetorin e 17 të pavarësisë, përkujtohet një epokë e tërë.
“Në 17-vjetorin e Pavarësisë sonë, po i bëjmë bashkë historinë, sakrificën dhe krenarinë e këtij kombi në një akt solemn, dekorimin e atyre që e bënë Kosovën të lirë dhe shumë të tjerëve që edhe sot vazhdojnë të ndihmojnë ecjen tonë përpara. Në këtë ditë të shenjtë, në këtë moment solemn, ne nuk po përkujtojmë vetëm një datë, ne po nderojmë një epokë të lavdishme. 17 vjet liri, 17 vjet shtet, 17 vjet betejë për t’i treguar botës se Kosova është e përjetshme”, ka thënë ajo.
Me urdhrin Hero i Kosovës, presidentja Osmani dekoroi edhe Fehmi e Xhevë Lladrovcin.
“Me të njëjtin frymëzim, bazuar në vendimet paraprake, sot i dorëzojmë Urdhrat Hero i Kosovës edhe për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dy bashkëluftëtarë dhe bashkëshortë që ranë ashtu siç jetuan – bashkë, me armët në duar dhe me idealin e lirisë së ngulitur në shpirt”, ka thënë Osmani.
Po ashtu, dekorata janë ndarë edhe për Yllka Domin, Lumnie Rakën, Jehona Rakën, Emsale Frangun dhe Mukadeze Lika-Muhaxherin.
“Lufta nuk ishte vetëm e burrave; ajo ishte një betejë e përbashkët ku gratë si Xhevë Lladrovci, Yllka Domi, Lumnie Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika-Muhaxheri e shumë gra të tjera dhanë po aq, sakrifikuan po aq, ndaj sot, më në fund, po marrin vendin që u takon në histori duke u ndarë Urdhrin Heroina të Kosovës, atyre për të cilat kjo nuk kishte ndodhur më parë”, ka thënë presidentja. “Vajza dhe gra, qëndrestare e luftëtare, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke dëshmuar se çlirimi i këtij vendi nuk ishte vetëm një betejë burrash, por një përpjekje e përbashkët ku gratë ishin në vijën e parë të luftës. Emrat e tyre do të mbeten përgjithmonë të skalitur në historinë tonë kombëtare”.
Dekorata iu ndanë edhe ushtarakëve të Shqipërisë, që trajnuan dy grupet e para të armatosura, pjesë e të cilave ishin edhe Adem Jashari e Zahir Pajaziti. Ato iu dhanë Hysen Ymerit, Agron Dhimarkos, Ylli Micit e Kastriot Hoxhës.
Po ashtu, në këtë përvjetor të pavarësisë u nderua me dekoratë edhe ish-ushtari i UÇK-së nga Danimarka, Niels Henrik Hooge.
Në ceremoni mori pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili tha se Kosova e Shqipëria duhet të qëndrojnë krah njëra-tjetrës.
“Sot duhet të qëndrojmë krah për krah në çdo fushë të jetës, në ekonomi, në siguri, në shkencë, në kulturë, teknologji dhe art. Marrëdhëniet tona i lidh gjaku, i lidh flamuri, i lidh historia, i lidh kombi. Kosova e pavarur është një realitet që nuk kthehet pas, është një realitet që është fituar me gjak dhe sakrificë”, ka thënë presidenti Begaj.
Presidentja Osman ka dekoruar edhe disa universitete, përfshirë atë të Pittsburgut ku edhe vetë ka studiuar. E, deri në dhjetor të 2023-tës, ajo ka ndarë 274 dekorata presidenciale.