Sërish kaos në Kuvendin e Shqipërisë, opozita hedh tymuese (VIDEO)

Deputetët e opozitës kanë bllokuar sërish sot punimet normale të seancës plenare të Kuvendit.

Pasi bllokuan foltoren duke kthyer përmbys karriget, deputetët kanë ndezur disa tymuese gjatë zhvillimit të seancës së sotme plenare.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla deklaroi përjashtimin e deputetit të PD-së Saimir Korreshi ndërsa u kërkoi punonjësve të Gardës të largojnë flakadanët.

“Ju përjashtoj, lironi sallën zoti Korreshi. Garda ju lutem hiqni flakadanët!”, tha Nikolla.

Mes këtij kaosi të krijuar nga opozita, mazhoranca vijoi punimet për miratimin e projektligjeve të përfshira në rendin e ditës.

Opozita kërkon ngritjen e komisioneve hetimore dhe përfshirjen në komisionin e reformës zgjedhore.

Kreu i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se ky aksion nuk do të ndalet.

Ai theksoi se do të vazhdojë mosbindja civile e tyre pasi i janë mohuar të drejtat kushtetuese.

Më herët në një prononcim për mediet, Berisha tha se “gjëja më e përgjegjshme dhe më e shenjtë që mund të bëjë një deputet është të mbrojë të drejtën kushtetuese”.

Ai theksoi se ata që betohen në Kushtetutë, duhet ta mbrojnë atë me çdo çmim.

“Deputetët prej një muaji nuk po bëjnë asgjë tjetër veçse po mbrojnë Kushtetutën”, u shpreh Berisha lidhur me aksionin e tyre opozitar të cilët prej disa javësh kanë bllokuar punimet normale të Kuvendit.

“Mendoj se ky është vendimi më i përgjegjshëm. Alternativa e këtij vendimi do të ishte bojkoti, por bojkoti do të ishte një dëshirë dhe kënaqësi e Edi Ramës, të cilën nuk do ia plotësojmë”, shtoi Berisha duke deklaruar se do ta vazhdojnë betejën.

Kreu i Rithemelimit të PD-së tha se “Rama ka një muaj që nuk hyn në parlament, nuk respekton interpelanca, çka shkel Kushtetutën, kurse ne mbrojmë Kushtetutën”.

“Ky është një aksion pa kthim. Një aksion që do kalojë në të gjithë stadet e veta deri në rivendosjen e Kushtetutës në parlament dhe në vend”, u shpreh Berisha për gazetarët.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button