Sërish flet Bujar Osmani: Ali Ahmeti është shtylla morale

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve në Çair, duke theksuar se e ka pranuar me dinjitet rezultatin dhe ka përgëzuar fituesin, por ka akuzuar disa përfaqësues të koalicionit VLEN për arrogancë politike.

“Çairi ishte një mësim, dhe çdo mësim pranohet me dinjitet. E mora përgjegjësinë time dhe e përgëzova fituesin, sepse edhe në këto rrethana dua të lë pas vetes një trashëgimi të kulturës politike,” shkruan Osmani.

Ai ka theksuar se “arroganca e disave në VLEN po bëhet e gërditshme” dhe se “nuk e pranon që për këtë arsye të nëpërkëmbet rezultati i BDI-së dhe koalicionit”.

“Me 114 mijë vota, AKI mbetet forca më e madhe dhe përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve. Ali Ahmeti është dhe mbetet ideologu dhe udhëheqësi i pakontestueshëm i shqiptarëve. Fyerjet ndaj tij nuk janë shenjë force politike, por shenjë dobësie morale,” thekson Osmani.

Ai shton se sulmet ndaj Ahmetit kanë për qëllim demoralizimin para raundit të dytë të zgjedhjeve, “por do të ndodhë e kundërta: bashkim dhe vendosmëri.”

“Shqiptarët dhanë mbështetje masive në raundin e parë, dhe në të dytin duhet ta konfirmojmë kush e mban realisht vullnetin e tyre politik. AKI mbetet zëri i shqiptarëve, ndërsa Ali Ahmeti, shtylla e tyre morale dhe ideore,” përfundon Osmani, duke u bërë thirrje shqiptarëve të dalin masivisht në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button