Serbët protestojnë në Mitrovicën veriore kundër hapjes së urës mbi Ibër

Me pankarta në duar me mbishkrimet “Derisa BE dhe SHBA shkruajnë komunikata neve po na dëbojnë”, “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës për të gjitha”, ka filluar protesta e qytetarëve nga komuniteti serb në veri të Mitrovicës.

Siç raporton gazetarja e Telegrafit nga veriu, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë mbledhur në sheshin “Car Llazar” për siç thonë “gjendjen e rëndë në Kosovë”.

Në protestë të pranishëm janë edhe përfaqësuesit e Listës serbe si dhe kryetari i “Partisë së Serbëve të Kosovës” Aleksandar Jabllanoviq.

Ndërkaq, edhe prezenca e Policisë së Kosovës është e madhe, krahas asaj të Eulex-it.

Ndryshe, zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani për Telegrafin ka thënë se protesta parashihet të jetë e qetë.

Ai tha se policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbajë rendin dhe qetësinë publike.

“Grup i qytetarëve e ka lajmëruar protestën e sotme në ora 11.00 që planifikohet të mbahet në sheshin ‘Car Lazar’. Arsyeja e kësaj proteste është gjendja e keqe e serbëve në të cilën gjenden. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbajë rendin dhe qetësin publike”, ka thënë Elshani.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button