Selimi nga Haga: Akuzat ndaj nesh, të pabaza, UÇK-ja nuk ishte parti politike, por ushtri çlirimtare

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Rexhep Selimi, në fjalën përfundimtare në Hagë, tha se akuzat ndaj tij dhe tre anëtarëve të tjerë janë të pabaza dhe të padrejta.
Ai theksoi se UÇK nuk ishte parti politike, por ushtri çlirimtare, ndërsa shtoi se armët ishin mbijetesa e tyre.
“Është hera e tretë dhe uroj të jetë e fundit që unë marr fjalën në këtë sallë gjyqi. Këto vite s’kanë qenë të lehta për ne dhe për vendin tim. Pas gjithë këtyre viteve ka dhe një element pozitiv: shpresoj që trupi gjykues të ketë pasur kohën për ta kuptuar që lufta jonë ishte e drejtë dhe pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë. Akuzat ndaj nesh janë të pabazuara dhe të padrejta. Nuk jam këtu për ta mbrojtur veten time, sepse e kanë bërë avokatët, as për të treguar drejtësinë sepse ju e dini më së miri, por jam këtu për t’ju kërkuar që ta zbatoni atë.
Megjithëse Prokuroria deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, UÇK-në dhe në veçanti qëllimin e saj që ishte pavarësia e Kosovës, krijoi përshtypjen sikur pavarësia ishte qëllim kriminal.
Në Kosovë nuk ka pasur parti politike shqiptare që të ishte kundër pavarësisë. Të gjitha partitë ishin për pavarësinë, siç ishte dhe qëllimi i UÇK-së. Sikur Prokuroria përpiqet të na ndajë mes veti dhe ta barazojë me krimet e Serbisë.
Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, e më tepër në një sallë gjyqi. E kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj. Kur Serbia dhe Millosheviçi vriste bashkëmoshatarët e mi, helmonte nxënës dhe studentë, mbyllte shkolla e spitale, na ndante për të na vrarë, çfarë duhet të bënim ne? Të mos reagonim?! Serbia nuk e fshihte kurrë qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Çfarë duhej të bënim ne? Të prinim radhën për t’u vrarë apo të iknim nga vendi ynë? As njërën dhe as tjetrën. Kishte nevojë për njerëz siç ishte Adem Jashari, ndaj dhe iu bashkova atij. UÇK nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë.
Unë isha pjesë e një ushtrie 100% vullnetare, e përbërë nga mësues, studentë, bujq, prindër, njerëz që u detyruan të merrnin armët sepse nuk kishin rrugë tjetër. Prokuroria më cilëson si person i afërt me Adem Jasharin. Nuk është e qartë nëse është menduar si akuzë apo vlerësim. Për mua është nderi më i madh që mund të kisha, po ashtu konsideroj nder cilësimin si pjesë e UÇK-së. Kam mbajtur armë, armët për ne ishin mbijetesë. Shumë kanë vdekur për t’i siguruar ato. Ne kemi kërkuar ndihmë edhe nga SHBA-ja e vendet mike. UÇK s’kishte qëllim tjetër veç lirisë. UÇK nuk ishte parti politike, por ushtri çlirimtare. Edhe nëse lufta nuk do të ndalej në qershor të ’99 dhe do të vazhdonte, ende do të isha ushtar i atdheut tim, ndoshta do të isha vrarë deri tani. Jam i bindur që bëmë gjënë e duhur dhe do ta bëja.
Ndaj dhe NATO na mbështeti, na mbështetën dhe vendet tuaja. Prokuroria kërkon dënime jashtëzakonisht të rënda, që synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë.
Gjatë luftës ndodhën shumë gjëra: kaos, frikë, veprime individuale dhe frikë e akumuluar ndër vite. Lufta gjithmonë lë pasoja dhe viktima. Dhe këto viktima kanë nevojë për drejtësi. Kërkesa ime është e thjeshtë: që vendimi të mbështetet vetëm në atë që është provuar, me fakte dhe jo me hamendje. Jam besimplotë që drejtësia do të na kthejë në atdhe neve që jemi të akuzuar.“, u shpreh Selimi.



