Sektori për krime kompjuterike: Qytetarët të jenë të kujdesshëm kur marrin telefonata nga numra të panjohur
Sektori për krime kompjuterike në Ministrinë e Punëve të Brendshme është duke marrë masa aktive për hetimin dhe trajtimin e mashtrimeve telefonike që kryhen përmes teknikave të devijimit të numrave të telefonit dhe falsifikimit të Caller ID-së, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
Nga aty thonë se këto mashtrime janë gjithnjë e më të shpeshta në kohët e fundit dhe synojnë manipulimin e qytetarëve dhe qëllimi i të cilave është marrja e të dhënave konfidenciale apo aseteve financiare.
“Mashtruesit shpesh paraqiten si përfaqësues të bankave, institucioneve publike apo kompanive për të mashtruar viktimat. Sektori i krimeve kompjuterike ka kryer kontrolle në lidhje me mashtrimin telefonik dhe ka konstatuar se mund të përdoren disa mjete për manipulimin e telefonatave”, thonë nga MPB.
Një nga mjetet janë Shërbimet VoIP: Shërbimet Voice over Internet Protocol (VoIP) i lejojnë përdoruesit të bëjnë thirrje përmes Internetit. Shumë ofrues VoIP ofrojnë veçori si përcjellja e thirrjeve, maskimi i numrave virtualë. Më pas, një aplikacion mashtrimi: Softueri dhe aplikacionet, të tilla si “SpoofCard” ose mjete të ngjashme, i lejojnë përdoruesit të modifikojnë ID-në e thirrësit që shfaqet. Këto mjete shpesh promovohen për qëllime private ose biznesi, por ato mund të keqpërdoren. Mashtruesit përdorin gjithashtu sisteme PBX (Rrjetet e Shkëmbimit Privat): Bizneset përdorin sisteme PBX për të trajtuar thirrjet hyrëse dhe dalëse. Këto sisteme mund të drejtojnë telefonatat përmes numrave të ndryshëm dhe të modifikojnë ID-në e telefonuesit për qëllime profesionale.
“Zëvendësimi i SIM i referohet teknikave mashtruese ku sulmuesit transferojnë numrin e viktimës në një kartë tjetër SIM për të përgjuar thirrjet dhe mesazhet. Departamenti i Krimeve Kompjuterike në Ministrinë e Brendshme apelon publikun që të tregohet i kujdesshëm në marrjen e telefonatave nga numra të panjohur apo nga numra që paraqiten si institucione konfidenciale. Asnjëherë mos i shpërndani informacionet personale, informacionet bankare ose fjalëkalimet përmes telefonit. Nëse dyshoni se keni qenë viktimë e një mashtrimi të tillë, denonconi menjëherë rastin në stacionin policor më të afërt”, bën thirrje MPB.
Për situatë të ngjashme, Ministria e Punëve të Brendshme informoi me 14 nëntor dhe më 5 dhjetor 2024me ç’rast edhe atëherë bëri thirrje për kujdes.
Kujtojmë se edhe gjatë muajit shtator të vitit që lam pas qytetarët ishin shënjestër e një mashtrimit për vjedhjen e të dhënave personale. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se qytetarët merrnin e-maile në emër të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike (BPS), Sasho Tasevski, i cili dukej si ftesë në gjykatë.