Sedat Bislimi: Mjaft mashtruat popullin, problemi i ujit të pijshëm do të zgjidhet me plan konkret

Kandidati i VLEN-it për Komunën e Studeniçanit, Sedat Bislimi, përmes një statusi në Facebook ka theksuar se problemi i ujit të pijshëm do të jetë prioriteti i parë i qeverisjes së tij lokale, nëse merr besimin e qytetarëve.
“Të gjithë e dimë se çfarë është premtuar me vite në Komunën tonë, e sidomos për ujin e pijshëm. Çdo fushatë, i njëjti premtim, i njëjti mashtrim,” ka shkruar Bislimi, duke shtuar se qytetarët kanë të drejtë kur thonë “mjaft më me fjalë.”
Ai ka premtuar veprim konkret që nga dita e parë e mandatit.
“Do të formohet një grup pune me inxhinierë dhe ekspertë për të zgjidhur përfundimisht problemin e ujësjellësit në çdo fshat të Komunës së Studeniçanit”, ka shkruar Bislimi.
Bislimi thekson se nuk kërkon besimin e qytetarëve përmes fjalëve, por përmes rezultateve.
“Nuk dua të fitoj besimin tuaj me premtime, dua ta fitoj me punë të parë e rezultat të parë. Sepse, për mua uji nuk është luks, është e drejtë themelore që duhet ta ketë çdo familje në këtë komunë”, është shprehur Bislimi.