Seanca për votimin e formimit të Qeverisë së Kosovës caktohet për të dielën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës në seancën e jashtëzakonshme plenare, e cila është caktuar për ditën e diel në ora 10:00, transmeton Anadolu.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, u ka dërguar ftesë deputetëve të Legjislaturës së Nëntë për seancën e cila do ta ketë vetëm një pikë të rendit të ditës, zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.

Dita e diel, 26 tetor 2025, është dita e fundit e afatit ligjor që i mandatuari Albin Kurti si kandidati i partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, ka të drejtë ta propozojë qeverinë e re tek deputetët.

Megjithëse seanca pritet të mbahet të dielën, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë konfirmuar ende nëse i kanë siguruar votat shumicë, respektivisht 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

Më 11 tetor, presidentja Vjosa Osmani në bazë të kompetencave të saj kushtetuese nënshkroi dekretin me të cilin mandatoi kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për formimin e Qeverisë së Kosovës. Pas kësaj, u bë e qartë se sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e qeverisë, Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim.

Vendimi u mor pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila me 48 mandate ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti.

Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka përkrahjen e disa deputetëve nga minoritetet jo-serbe, mirëpo vetëm me ta nuk arrin 61 votat e nevojshme.

Nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin t’i sigurojë 61 vota, presidentja ka detyrën që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse as pas përpjekjes së dytë qeveria nuk mund të formohet, presidentja, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button