Seanca e GJND-së, Sudani akuzon Emiratet e Bashkuara Arabe për bashkëpunim në gjenocid

Sudani akuzoi të enjten Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për bashkëpunim në gjenocid gjatë një seance dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, Holandë.

Sipas Sudanit, gjenocidi i pretenduar ndaj komunitetit Masalit në Darfur, i kryer nga forcat paramilitare të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Emirateve.

Khartumi paraqiti argumentet e veta gojore si pjesë e një seance publike në çështjen ku akuzon EBA-në për shkelje të Konventës për Parandalimin e Gjenocidit.

Muawia Osman, ministri i përkohshëm i drejtësisë në Sudan, i tha gjykatës: “Gjenocidi që po ndodh aktualisht nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e Emirateve, përfshirë dërgimin e armëve për RSF-në.”

“Supoja logjistike dhe mbështetja tjetër që Emiratet kanë ofruar dhe vazhdojnë të ofrojnë për RSF-në, kanë qenë dhe mbeten shtytësit kryesorë të gjenocidit në zhvillim – përfshirë vrasjet, përdhunimet, zhvendosjet e dhunshme dhe plaçkitjet,” tha Osman.

Qeveria sudaneze, e lidhur me ushtrinë dhe në luftë me RSF-në që prej prillit 2023, akuzon grupin paramilitar dhe milicitë aleate të tij për gjenocid, vrasje, vjedhje, përdhunim dhe zhvendosje me forcë. Ajo thotë se këto krime janë bërë të mundura nga mbështetja direkte e Emirateve.

Një hetim i pavarur i kryer vitin e kaluar nga Qendra Raoul Wallenberg për të Drejtat e Njeriut gjeti se ka “prova të qarta dhe bindëse” që RSF-ja dhe milicitë aleate kanë kryer dhe po kryejnë gjenocid ndaj popullit Masalit – një grup etnik afrikan me ngjyrë në vend.

Shteti i Darfurit Perëndimor ishte skena e sulmeve të dhunshme etnike nga RSF-ja dhe milicitë arabe aleate ndaj komunitetit Masalit gjatë vitit 2023.

“Nuk ka dyshim se populli Masalit po i nënshtrohet gjenocidit, dhe ka prova serioze që Emiratet po dështojnë të parandalojnë këtë dhe po bashkëpunojnë,” tha Eirik Bjorge, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe përfaqësues i Sudanit në gjykatë.

Ai shtoi se RSF ka përdorur armë të rënda dhe të sofistikuara, për të cilat një nga rrugët kryesore të furnizimit besohet të jetë nga Abu Dhabi përmes aeroportit Amdjarass në Çad.

Emiratet kanë ndërtuar një spital fushor pranë këtij aeroporti nën emrin e Gjysmëhënës së Kuqe.

“Por, domethënës është fakti që kur Kryqi i Kuq kërkoi të vizitonte spitalin për të kuptuar operacionet që zhvilloheshin nën këtë emër të mbrojtur, atyre iu mohua hyrja për arsye sigurie,” tha Bjorge.

Ai citoi shërbimin e inteligjencës së përgjithshme të Sudanit, i cili kishte përfunduar se spitali fushor ishte “qendra kryesore e furnizimit dhe mbështetjes për armikun”.

Bjorge shtoi se mercenarë, përfshirë kolumbianë të punësuar nga kompani të lidhura me Emiratet, janë rekrutuar për të luftuar për RSF-në.

Khartumi i kërkoi GJND-së që të ndërmarrë masa të përkohshme ndaj Emirateve.

Këto masa përfshijnë urdhërimin e Emirateve për të ndaluar: vrasjen dhe dëmtimin serioz të popullit Masalit, krijimin e kushteve që synojnë shkatërrimin fizik të grupit, si dhe masat që synojnë të ndalojnë lindjet brenda këtij komuniteti.

Gjithashtu, kërkohet që Emiratet të sigurojnë që asnjë njësi e armatosur që mbështetet prej tyre të mos nxisë publikisht apo direkt kryerjen e gjenocidit.

“Për qëllimet e kësaj çështjeje, nuk ka dyshim se ekzistojnë prova të mjaftueshme që Emiratet jo vetëm që po dështojnë në parandalimin e gjenocidit, por janë edhe bashkëpunuese në të,” përfundoi Bjorge.

Qëndrimi i Emirateve

Emiratet kanë mohuar në mënyrë të përsëritur mbështetjen për RSF-në, dhe të enjten e cilësuan çështjen si “një shfaqje propagandistike e pabazë”.

“Që nga fillimi i luftës, Emiratet nuk kanë ofruar asnjë armë apo pajisje të ngjashme për asnjërën palë në konflikt,” tha Reem Ketait, zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Emirateve, në përgjigjen gojore të shtetit.

Ketait tha se spitali në Çad, si dhe një tjetër në Sudanin e Jugut, janë ngritur për të ndihmuar civilët që po largohen nga lufta.

“Ideja se Emiratet janë në një farë mënyre nxitësi i këtij konflikti të turpshëm në Sudan është krejtësisht e pavërtetë,” tha ajo.

“Kjo çështje është një shembull tjetër i keqpërdorimit të institucioneve ndërkombëtare nga Sudani për të sulmuar Emiratet.”

Ka juridiksion Gjykata?

Edhe pse Emiratet janë palë në Konventën për Gjenocidin, mbi të cilën bazohet çështja, kur iu bashkua traktatit në vitin 2005 ato vendosën një rezervë ndaj Neni 9 të konventës.

Kjo mund ta çojë gjykatën të hedhë poshtë çështjen, sipas ekspertit të të drejtave ndërkombëtare, Michael Becker.

Neni 9 lejon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes GJND-së kur një shtet shkel konventën. Shtetet kanë të drejtë të përjashtohen nga ky nen përpara nënshkrimit.

Duke vendosur një rezervë ndaj Nenit 9, Emiratet refuzuan të japin pëlqimin për juridiksionin e GJND-së, tha Becker. Shumë shtete të tjera kanë bërë të njëjtën gjë, përfshirë SHBA-në, Kinën, Algjerinë, Bahreinin, Marokun, Malajzinë, Jemenin dhe Indinë.

Samuel Wordsworth, specialist në arbitrazh ndërkombëtar, adresoi këtë çështje të juridiksionit në emër të Sudanit.

Ai argumentoi se rezervat duhet të interpretohen me mirëbesim dhe se rezerva e Emirateve është e paqartë dhe mund të jetë e pavlefshme, pasi bie ndesh me objektivin dhe qëllimin e Konventës për Gjenocidin.

“S’mund të lejohet që një rol kyç [si shqyrtimi i rrezikut të menjëhershëm të gjenocidit] të pengohet nga një formulim kaq i paqartë si ai para jush,” tha Wordsworth.

Gjithashtu ai theksoi se GJND-ja duhet të vlerësojë nëse qëllimi i rezervës së Emirateve është të përjashtojë përgjegjësinë e tyre shtetërore për gjenocid, edhe pse formulimi i saj shmang me kujdes këto fjalë.

Në përgjigjen e saj, Keitan i tha gjykatës: “Është e qartë dhe e padiskutueshme që nuk ka juridiksion. Prandaj i kërkojmë gjykatës të heqë çështjen nga lista e përgjithshme.”

Mathias Forteau, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe pjesë e ekipit të Emirateve, tha se rezervimi i Emirateve nuk është refuzuar kurrë më parë nga Sudani, dhe për këtë arsye “Neni 9 nuk ka fuqi në këtë rast mes palëve”.

“Gjykata mund të veprojë dhe të mbajë një çështje vetëm nëse të dyja palët e pranojnë juridiksionin. Dhe siç thashë qartë, kjo nuk është situata sot,” tha Forteau.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button