Së shpejti dënimet e trafikut ju vijnë në shtëpi!

Sistemi i kamerave dhe gjobave në adresën e shtëpisë ishte shpallur 12 vite më parë, mirëpo ai akoma nuk është në funksion. Në ndërkohë, u shpallën tenderë dhe u vendosën kamera, por nuk funksionoi kurrë ashtu siç ishte premtuar – gjurmimi dhe gjobitja automatikisht të kujtdo që bën gabime në trafik. Akoma jo vetëm në Shkup, por edhe në vendbanimet më të mëdha dhe të vogla në Maqedoni kemi skena të sjelljes të papërgjegjshme dhe mos respektimit të rregullave të trafikut.

Së fundmi projekti pritet të jetësohet në muajt në vazhdim duke frenuar rastet e përditshme të “tërbimit” në rrugë, por edhe si masë e presionit psikologjik që qytetarët të bëjnë kujdes në qarkullimin rrugor. Një muaj më parë, kamerat ju nënshtruan testimit dhe për vetëm pak orë ishin regjistruar disa mijëra shkelje të rënda. Fotot, mësohet se do të jenë vetëm të targave të mjetit, ndërsa pjesa tjetër do të jetë anonime.

Ekspertët vlerësojnë se ky projekt do të lehtësojë punën e policisë, do të rrisë disiplinën dhe kulturën e trafikut dhe në këtë mënyrë do të rrisë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik. Pritet që ligji për kamera dhe disa ligje tjera si ato të ruajtjes së privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të kalojnë procedurën e nevojshme parlamentare, me qëllim që i gjithë sistemi të funksionojë, si dhe të definohen detajet se si ai do të funksionojë në praktikë.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski paralajmëron se shumë shpejt do të vihet në funksion sistemi “Qytet i sigurt”, fillimisht në tre qytete.

Të gjithë duam rregull, kush nuk do rend? Të gjithë duam të kemi rregull, të gjithë duam të flemë natën pa muzikë të lartë, të gjithë duam të kemi paqe pa “fluturuar” me shpejtësi prej 180 km në orë përgjatë Bulevardit “Partizanska” dhe bulevardet e të tjera në Shkup. Mbi 95 për qind e njerëzve, dhe akoma më shumë, duan rend dhe rregull. Për këtë, një nga kushtet, sipas meje, që duhet ta bëjmë në të ardhmen është zbatimi i plotë i “Qytetit të sigurt”, fillimisht në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.

“Kjo do të thotë se të gjithë ata që kanë kaluar në semafor të kuq duhet të dënohen, do të thotë që të gjithë ata që kanë parkuar gabimisht duhet të ndëshkohen, do të thotë që të gjithë ata që kanë vozitur me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar duhet të ndëshkohen. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve”, thekson Toshkovski. Ministri i Brendshëm sqaron se do të dënohet pronari i veturës, ku duhet kujdesur që të rregullohet dorëzimi i dënimeve.

Ministri Toshkovski beson se pas vendosjes në funksion , do të duhet të ketë një periudhë të caktuar paralajmërimi, edukimi dhe parandalimi. Ai thotë se së paku një muaj duhet të bëhet një fushatë e fortë që të mos duket se shteti synon të ndëshkojë financiarisht qytetarët.

Nga MPB thonë se ky sistem do të përfshijë autostradat në të gjithë shtetin si dhe vendbanime tjera së bashku me këto tre qytete, ku do të përfshihet edhe përcaktimi elektronik i shkeljeve të qarkullimit rrugor. Ideja është që të zgjerohet mbi të gjitha në qytetet e mëdha ku ka frekuencë më të lartë të njerëzve. Pritet që me vendosjen e kamerave të sanksionohen shumë më shumë,por edhe të zvogëlohen shkeljet si kalimi në të kuqe, vozitja mbi shpejtësinë e lejuar, shfrytëzimi i celularit gjatë vozitjes, e kështu me radhë që do të kapen nga kamerat, ndërsa shkelësit do të paguajnë kur fatura do tu arrijë në adresën e banimit. Kamerat do të përdoren për të dokumentuar shkeljet e trafikut.

Në procedurë është rregullimi i mënyrës së sigurimit dhe dërgimit të lëndës dëshmuese te kryesi i veprës. “Nëse kryesi nuk e paguan gjobën brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrohet kërkesë për fillimin e procedurës për kundërvajtje në gjykatën kompetente ose organin për kundërvajtje”, thonë nga MPB.
Gjobat nga kamerat e vendosura do të mbërrijnë në zarf dhe me siguri do të përmbajnë një foto të mjetit që tregon targën me datën dhe orën e shkeljes së kryer. Në Evropë, Italia u ka disiplinuar më shumë shoferët dhe ka vendosur kamera në çdo cep, më saktë ka 8073 kamera policie në funksion…

Janë 3813 në Gjermani, 2406 në Francë dhe vetëm 113 pajisje për monitorimin e shpejtësisë në Slloveni.

Rreth 1182 kamera janë aktive në Austri, për shumë prej tyre mjaft fatale për shkak të mungesës së tolerancës ndaj shpejtësisë, dhe në Sllovaki vetëm 13, ndërsa në Republikën Çeke janë 149, tregojnë të dhënat e kompanisë britanike Zutobi, një biznes trajnimi i shoferëve, që ka mbledhur një sërë të dhënash statistikore për vendet evropiane. Nëse kemi parasysh masën e gjobave, numrin e kamerave dhe kufizimet e shpejtësisë, Zutobi beson se vendet më të rrepta të trafikut janë: Norvegjia, Italia, Britania e Madhe, Greqia, Holanda…

Në Kroaci përdoren edhe pajisje moderne të cilat sipas karakteristikave teknike janë plotësisht në hap me BE-në dhe botën. Shumica e aparateve matëse, përveç funksionit të matjes së shpejtësisë, kanë edhe funksionin e leximit automatik të targave të regjistrimit të automjeteve (ANPR). Njëherësh pajisjet/radarët fiks kanë një sistem fotoradarësh me shumë synime (FRS) që mundëson matjen e shpejtësisë së shumë automjeteve në të njëjtën kohë dhe mund të zhvendoset nga një vend në tjetrin (në një strehim tjetër). Shumica e pajisjeve dërgojnë regjistrime në serverin qendror të MPB në kohë reale. Automjeti shkelës mund të regjistrohet në të dy drejtimet e drejtimit, varësisht se në cilin drejtim është aparati fiks, ditën apo natën, pra në shi apo borë.

Gjithashtu nga viti 2019, në Kroaci janë pikasur edhe kamerat e Serisë T Gatso. Bëhet fjalë për kamera që kanë aftësinë për të monitoruar disa korsi trafiku dhe përveç kontrollit të shpejtësisë mbulojnë edhe kontrollin e kabinave të pasagjerëve. Ata gjithashtu kanë aftësinë të vërejnë nëse shoferi po përdor një pajisje celulare në mënyrë të paligjshme ose nëse ai, ashtu si pasagjeri, nuk përdor rripin e sigurimit. /Koha/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button