Scholz: Putin ka shkelur parimin e paqes, kufijtë nuk ndryshohen me dhunë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) me rastin e ditëve të Pashkëve e rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen gjermane për Ukrainën dhe e argumentoi atë me interesat gjermane të sigurisë.
Scholz tha se “ne të gjithë e dëshirojmë një botë më paqësore”. Por paqja pa liri do të thotë shtypje. Paqe pa drejtësi nuk ka.
“Prandaj ne e mbështesim Ukrainën në luftën e saj për një paqe të drejtë, për sa kohë që kjo do të jetë e nevojshme. Ne e bëjmë këtë edhe për ne, për sigurinë tonë”, pohoi ai.
Scholz akuzoi Rusinë nën presidentin Vladimir Putinit se ka shkelur një parim të vlefshëm prej dekadash: që kufijtë nuk ndryshohen me dhunë. “Por ne e kemi në dorë, ta ribëjmë të vlefshëm këtë parim. Duke e mbështetur Ukrainën edhe më tej, të vendosur e me maturi”, deklaroi udhëheqësi gjerman.
Edhe zëvendëskancelari, Robert Habeck (Të Gjelbrit), ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit), dhe kreu i partisë në opozitë, CDU, Friedrich Merz kanë publikuar mesazhe për Pashkët.
Ndërsa zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck në një video të publikuar të enjten në mbrëmje në platformën X, tha se “ne e dëshirojmë paqen. Po. Por përgjigjja e hidhur dhe e vërtetë është: me gjasë nuk do të ketë fund të shpejtë e të mirë, edhe pse ne e dëshirojmë ndryshe”, raporton dw.



