Samiti i Ekonomisë dhe Financave Islame fillon në Stamboll

Edicioni i 13-të i Samitit të Ekonomisë dhe Financave Islame hapi dyert për vizitorët të martën në Universitetin Bogazici me seli në Stamboll.
Eventi organizohet nga Qendra e Kërkimeve të Ekonomisë Islame (IKAM) e Fondacionit ILKE. Anadolu shërben si partneri global i komunikimit.
Ahmet Saik Öner, kryetar i Fondacionit ILKE, deklaroi se organizata punon për të zhvilluar një model ekonomik që “mbron njerëzit dhe punën dhe minimizon padrejtësitë e sistemeve ekonomike”.
Duke folur në hapje të eventit, Öner tha se puna e fondacionit nxjerr në pah “një qasje të drejtë ndaj financimit”, duke vënë në dukje se Turqia është në rrugën e duhur për t’u bërë një qendër globale në financën pjesëmarrëse.
Ai theksoi se ka probleme strukturore në fushat e drejtësisë, arsimit dhe ekonomisë në Turqi, duke shtuar se forcimi i standardeve dhe rregulloreve është thelbësor. “Ekziston një nevojë shumë serioze për legjislacion gjithëpërfshirës, veçanërisht në Turqi”, tha ai.
Drejtori i IKAM-it, Melih Turan, tha se eventi dikur ishte një seminar për ekonominë islame, por përpjekjet e qendrës e transformuan atë në një samit që mbulonte si akademinë ashtu edhe sektorin financiar.
Disa çmime u ndanë në kategoritë e kontributit, kërkimit, tezës dhe arsimit, si pjesë e ceremonisë së tetë të Çmimeve të Ekonomive Islame në këtë aktivitet. Samiti do të vazhdojë me disa panele gjatë gjithë ditës.



