Sami Frashëri është autori i sintezës së kombformimit shqiptar

Dijetarët e mëdhenj u përgjasojnë kodrave që janë të futura në thellësi dhe ashtu e mbajnë stabilitetin e tokës, nëpër të cilën lëvizin njerëzit. Kur këta dijetarë rrallohen, është e ditur se dridhjet e identitetit janë më të forta dhe pasojat e lëkundjeve të tij janë më të rënda. Kjo i ka ndodhur kulturës e kombit tonë tash një shekull e më shumë me Samiun, po edhe me shumë dijetarë të tjerë të harruar e të rralluar me anë injorimesh, ndalimesh, ndjekjesh e madje edhe eliminimesh.

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Injorimi i gjatë që i është bërë Sami Frashërit është provë e një harrese të gjatë me të cilën është mbuluar jo vetëm njëri prej dijetarëve tanë më të mëdhenj, po edhe disa nga vlerat thelbësore të identitetit tonë kulturor e kombëtar. Përpjekja për të ikur nga kjo shtresë e identitetit tonë kulturor, sado insistuese dhe e gjatë, nëpërmjet lëvizjeve antikulturore, ideologjike e antikombëtare si ballkanizmi, vesternizimi, formimi i njeriut të ri socialist, kozmopolitizmi e deri te projekti i formimit të një kreature “bektashianiste”, duket të ketë qenë e pasuksesshme, sepse Samiu rikthehet, kur armiqtë e kombëtarizmit as nuk e imagjinojnë. Edhe trajtimi tematik i figurës dhe veprës së tij monumentale në këtë numër të revistës “SHENJA” është pjesë e atij rikthimi. Ndërsa në vitin 2004 u botua në Shkup, nga “Logos A” vepra e gjerë e Sami Frashërit në njëzet vëllime. Pikërisht këto ditë nga “Logos A” u ribotua e zgjeruar vepra e Samiut, duke përfshirë edhe disa vepra, të cilat më parë nuk ishin botuar në gjuhën shqipe. (Nuk e di a është rastësi apo reagim instiktiv kombëtarist i një qendre denbabaden shqiptare, fakti që Shkupi në këto dy deceniet e fundit është bërë epiqendër e ritakimit e rivlerësimit tonë me veprën e Sami Frashërit.)

Përpjekja për ta harruar, e pakta për ta minimizuar figurën dhe veprën e Sami Frashërit, motivohej nga tentativa për ta ndryshuar narrativën e formimit të kombit shqiptar. Nën maskën e mbajtjes inat të sundimit osman, është zbatuar strategjia e fshehjes dhe e fshirjes sa më të madhe të gjurmëve dhe identitetit kulturor e kombëtar me burim islam dhe është kontestuar sinteza e kombformimit, autor i së cilës ishte Sami Frashëri.

Reformat e Tanzimatit dhe Kongresi i Berlinit

Pretekstin për ta injoruar Samiun dhe për ta eklipsuar shtresën identitare me burim islam, ideologjia nacionale që zotëroi në procesin e fundit të formësimit të kombit shqiptar mbi modelin e nacionalizmave ballkanikë me rrënjë ortodokse dhe të kulturës shqiptare më rrënjë gjoja ekskluzivisht kristiane, e sajoi mbi ngjarjet që rrodhën nga reformat trazuese të Tanzimatit dhe të ngjarjeve tragjike pas Kongresit të Berlinit. Por, kjo ideologji nacionale, e përftuar nga receta të huazuara, mori për bazë pasojat dhe jo shkaqet. Konfliktet shqiptaro-osmane, pas shpalljes së reformave të Tanzimatit, e kishin shkakun te devijimi që iu imponua Perandorisë Osmane nga Fuqitë e Mëdha, për krijimin e shtetit-komb, sipas modelit francez, anglez dhe gjerman. Ky koncept i organizimit shtetëror synonte integrimin e identiteteve të tjera etnike dhe kombëtare të kombeve me përkatësi muslimane në identitetin nacional turk. Ky ishte një paradoks, që zbulonte dobësinë shtetërore dhe rënien morale të Perandorisë Osmane. Përderisa kjo perandori kishte pranuar protektoratin e Rusisë mbi ortodoksët dhe Kultusprotektoratin austriak mbi katolikët që ishin shtetas të saj, asaj i ishte imponuar që muslimanëve shqiptarë t’ua injoronte kërkesat për identiteti kombëtar e kulturor shqiptar dhe njëherësh islam. Ky konflikt u përshkallëzua pas imponimit që iu bë Perandorisë Osmane nga Fuqitë e Mëdha, për të dorëzuar territore shqiptare në favor të fqinjëve ballkanikë. Kështu, një bashkëjetesë shumëshekullore e shqiptarëve me turqit nën mesazhin hyjnor të Islamit u shprish dhe u shndërrua në armiqësi politike dhe konflikt të armatosur. Sami Frashëri, më fuqishëm se çdokush tjetër, e ka denoncuar edhe atë ndryshim të raporteve e atë degradim që iu rezervua shqiptarëve: “Sot shqiptarëtë janë robër, të poshtuar, e t’unjurë, të shkelur’ e të çpërndarë shumë më teprë se të tjerë kombe të Tyrqisë që janë më të poshtrërë nga greqtë, nga shqehtë, nga armenëtë edhe nga judhenjtë! Tyrqia e ka ngriturë besënë nga shqipëtarëtë, nuk i beson e i vështron si anëmikë e si trathtorë, jo si shokë e si vëllezrë, si i vështronte qëmoti.” (Qysh janë sot shqiptarët, 1899) Edhe fryma e armiqësisë që bartën me vete themeluesit e shtetit shqiptar në vitin 1912, nga konfliktet e ashpra me xhonturqit, u fut në propagandë, në historiografi, në kulturë, në programet arsimore, e prej andej edhe në kujtesën kombëtare. Në një ambient të tillë, ku urrejtja ndaj Turqisë dhe ndaj Islamit u konservua në një ideologji dogmatike, është krejt e qartë se edhe në rastin e një kolosi si Sami Frashëri, do të bëhej seleksionim i rreptë i veprës së tij, duke shmangur nga qarkullimi dhe afirmimi ato vepra që ishin shkruar në gjuhën turke dhe ato që kanë pëmbajtje dhe ide islame.

Përgjigjet e sotme të veprës së Samiut

Seleksionimi mbi bazën ideologjike antiturke dhe antiislame, bashkë me Samiun, ka gjymtuar edhe autorë të tjerë, si puna e alamiadistëve shqiptarë, të cilët ishin pararendës të Samiut e veçmas të Naimit. Ata edhe sot trajtohen në mënyrë selektive, negative dhe zhvlerësuese. Në rastin e autorëve që kanë përdorur alfabet grek ose alfabete që i kanë sajuar vetë, çështja e alfabetit nuk përdoret si kriter zhvlerësues, ndërsa në rastin e alamiadistëve shqiptarë pashmagshëm theksohet se shkrimi me alfabet arab ishte një rrethanë problematike.

Për këto shkaqe, rikthimi te Samiu është rikthim te një pjesë esenciale e vetes sonë, për ta njohur atë pjesë dhe për të gjetur përgjigje më të plota të difekteve e të fateve tona. Vepra e Samiut, në mënyrë mjaft solide dhe solemne, ka një shumësi përgjigjesh në këto aspekte.

Fjala vjen, traktati “Shqipëria ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhetë”, sa herë që ribotohet, shërben si një përkujtues i traditave dhe i projeksioneve ideale të një kombi dhe të një shteti shqiptar, i cili nuk është formësuar plotësisht as sot. Po t’i krahasojmë disa projeksione të kohëve të fundit, duke përfshirë edhe atë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Pamfletin e ASHAK-ut, do të shohim avantazhet e filozofisë së Samiut lidhur me shtetin dhe kombin shqiptar. Projeksionet e reja e kanë aplikuar reduksionin e ambicieve kombëtare dhe e kanë legjitimuar inferioritetin tonë ndaj fqinjëve, ndërsa në projeksionin e Samiut nuk ka as gjurmë të ndonjë inferioriteti. Prandaj, nga ana konceptuale, ky traktat mund të na shërbejë edhe sot si pikë referimi dhe si pikënisje e ringritjes së mirëfilltë kombëtare.

Në kohën kur janë intensifikuar akuzat ndaj Islamit edhe ndër shqiptarë, veprat, si “Gratë”, “Qytetërimi islam”, “Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit”, janë thesare që mund të shndërrohen në argument për natyrën tolerante të Islamit të vërtetë dhe për ndarjen e Islamit nga ideologjitë e ndryshme nacionale dhe ekstreme, që paketohen si Islam, por që në fakt shërbejnë për të përligjur sulmet ndaj tij. Ndërkaq, veprat si “Personalitetet shqiptare në Kamus-al A’lam” dhe “Viset shqiptare në Kamus al’ Alam”, rinxjerrin nga harresa një varg vlerash kombëtare që duhet të integrohen në tërësinë e kulturës sonë.

Riafirmimi i koncepteve themelore të Samiut për gjeografinë kombëtare, qoftë dhe vetëm në planin e ruajtjes së kujtesës sonë historike, mund t’i shërbejë ndërprerjes së tendencave të copëzimeve e të tkurrjve të reja. Edhe metodologjia e tij e sistemimit të të dhënave dhe e vlerësimit të tyre, mbetet një qasje e vlefshme, aq më tepër që edhe njëqind vjet pas Samiut, me gjithë konsolidimin evident kombëtar, bota shqiptare e vuan mungesën e prirjes për të hartuar statistika dhe për ta sistemuar dokumentacionin që argumenton shtetësinë dhe kombësinë.

Dijetarët e mëdhenj u përgjasojnë kodrave që janë të futura në thellësi dhe ashtu e mbajnë stabilitetin e tokës nëpër të cilën lëvizin njerëzit. Kur këta dijetarë rrallohen, është e ditur se dridhjet e identitetit janë më të forta dhe pasojat e lëkundjeve të tij janë më të rënda. Kjo i ka ndodhur kulturës sonë tash një shekull me Samiun, po edhe me shumë dijetarë të tjerë të harruar e të rralluar me anë ndalimesh, ndjekjesh e madje edhe eliminimesh.

Natyra specifike e kulturës shqiptare

Eksperimentet që janë bërë në kulturën shqiptare, duke përjashtuar një pjesë esenciale të traditës, kanë prodhuar ideologji agresive, si doktrina e realizmit socialist, e cila e ka shfytyruar jashtë mase kulturën shqiptare. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, doktrinat e tilla jo vetëm kanë shmangur nga kujtesa kulturore kombëtare dijetarët dhe artistët e traditës, por kanë hëngër koka dijetarësh e artistësh, që nuk i janë përkulur plotësisht dogmës.

Edhe pse eksperimentet shfytyruese kanë qenë të gjata dhe kokëforta, ato nuk kanë dhënë rezultatet që janë kërkuar nga zbatuesit e tyre. Kombi shqiptar ka mbetur një komb specifik dhe kultura shqiptare po ashtu një kulturë specifike, në të cilën kanë kontribuar krahë për krahë dijetarë të proviniencës islame, të asaj katolike, ortodokse e, madje, edhe protestane. Ky realitet mund të injorohet përkohësisht, por nuk mund të zhbëhet kurrë plotësisht.

Për ta ruajtur këtë natyrë specifike të kulturës sonë kombëtare dhe vetë tolerancën fetare brendashqiptare, duhet që të evitohen praktikat e deritashme të seleksionimeve arbitrare edhe mbi dijetarët dhe artistët shqiptarë të proviniencës islame. Ata duhet të rehabilitohen plotësisht dhe ashtu të plotësohet pamja e identitetit tonë kulturor e kombëtar.

Vepra e madhe diturore e Sami Frashërit na i zbulon mundësitë e pashfrytëzuara të njohjes së vetes sonë dhe na jep moton e aktivizimit të verërespektit, të munguar për një kohë tepër të gjatë. Ndoshta edhe kjo poezi imja modeste, e botuar në librin tim me titull “Formula e Katonit” (Rilindja, 1990) e inicion atë ndjenjë vetërespekti të munguar:

MEDITIM PËR SAMIUN

Mote ka që trastë më rri

Figura e Samiut në kujtesë

Dhe s’gjej kuadër që ta zërë

Enciklopedinë e gjallë

Që ndjehet ngushtë në dy shekuj

Që me njërin sy e shikojnë

Dhe s’gjej kuadër që ta zërë

Dilemën bjeshkë

Gjuhën e pushtuesit si ta emërtosh

Ndryshe

Kur hijet vallëzojnë rreth shtëpisë

Se sytë zënë e djegin

Se sytë zënë e lotojnë

E atij njërën faqe ia rrahin valet në Bosfor

Tjetrën borërat në Alpe 

Ka mote që ha veten e s’e di

Ç’ka qenë

Ç’është

E ç’do të bëhet me Samiun

Që ndan e bashkon dy kontinente

Me tërë atë dhembje

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button