Sali: Israja dhe Miraxhi, nata kur shpirti ftohet të çlirohet nga barra e kësaj bote

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e Natës së Israsë dhe Miraxhit, duke theksuar domethënien e thellë shpirtërore të kësaj nate të shenjtë për besimtarët myslimanë.
Në urimin e tij, Sali vlerëson se Isrëja dhe Miraxhi janë udhëtime shpirtërore që bartin mesazhe të fuqishme për përulësinë, besimin dhe afrimin me Zotin. “Në këtë natë të madhe të Israsë dhe Miraxhit, udhëtimet shpirtërore na kujtojnë se ngritja më e lartë fillon gjithmonë nga përulësia dhe besimi i sinqertë”, ka theksuar ai.
Sipas zv/kryeministrit të parë, kjo natë është një ftesë për reflektim dhe çlirim shpirtëror. “Është nata kur shpirti ftohet të çlirohet nga barra e kësaj bote, të afrohet më shumë me Zotin dhe të gjejë dritë, shpresë e paqe në lutje”, ka shtuar Sali.
Në fund të mesazhit të tij, Bekim Sali ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, duke dëshiruar që kjo natë e shenjtë të sjellë paqe dhe begati. “Urime ju qoftë të gjithëve nata e Israsë dhe Miraxhit!”, ka përfunduar ai.


