Sali: Grupi punues po punon intensivisht në gjetjen e zgjidhjes për provimin e jurisprudencës

Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, intervistën e radhës e ka dhënë në emisionin INTERVISTA E DITËS në Alsat-M.
I pyetur rreth gjetjes së zgjidhjes së kërkesës së studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Sali, ka nënvizuar se grupi punues është duke punuar në mënyrë intensive në gjetjen e zgjidhjes.
“Përderisa jemi duke punuar në gjetjen e zgjidhjes dhe përfundimin e kësaj golgote me studentët shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe natyrisht se ndoshta nuk shihet në horizont. Por, ne që jemi në proces, e shohim ekipin e punës, grupin i cili e ka marrë përsipër të gjej zgjidhjen e duhur. Natyrisht ka një grup punues, unë këtë informacion e kam nda me opinionin qysh në momentin kur është formuar grupi punues. Një takim e kam pasur me studentët dhe e kam mirëkuptuar kërkesën e tyre. është legjitime, është e drejtë elementare që bazohet në Kushtetutë. Kështu që ne e kemi si obligim ta gjejmë zgjidhjen”, ka deklaruar Sali.



