Sali: Arti foli me zë të lartë në Operën dhe Baletin Kombëtar

Në sallën e Operës dhe Baletit Kombëtar në Shkup u shënua një mbrëmje e veçantë kulturore me interpretimin e operës “Goca e Kaçanikut”, një vepër që u soll para publikut kryeqytetas për herë të parë.
Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, përmes një njoftimi, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje kulturore, duke vlerësuar nivelin artistik dhe simbolikën e saj.
“Sonte në Shkup, arti foli me zë të lartë. Në sallën e Operës dhe Baletit Kombëtar, me ftesë të Kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, u përjetua një natë e paharrueshme ku mjeshtri Rauf Dhomi solli me mjeshtëri operën ‘Goca e Kaçanikut’, ndërsa regjia e Nikolin Gurakuqit i dha jetë dhe shpirt skenës”, thuhet në njoftim.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të lartë institucionalë, përfshirë ministrin në detyrë të Kulturës nga Kosova, Hajrulla Çeku, si dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.
Sipas Saliut, kjo mbrëmje kishte peshë historike për skenën kulturore në vend.
“Kjo mbrëmje shënoi një moment historik, pasi për herë të parë kjo vepër u interpretua në Shkup, duke u shndërruar në një festë të vërtetë të kulturës dhe identitetit kombëtar. Emocioni, arti dhe duartrokitjet e publikut e bënë këtë natë një përjetim që do të mbetet gjatë në kujtesë”, theksohet në njoftim.
Interpretimi i operës u mirëprit nga publiku, duke u shndërruar në një nga ngjarjet kulturore më të veçanta të periudhës së fundit në kryeqytet.



