Salah lë Liverpoolin për ta fituar Kupën e Afrikës me Egjiptin

Pak minuta pasi iu bashkua grupit elitar të lojtarëve me nga 150 gola të shënuar për Liverpoolin dhe ndihmoi skuadrën e tij të forcohej në krye të Premier Leagues, Mohamed Salah shpalosi ambicien e tij për të “fituar një turne” tjetër.
Lojtari i ndeshjes në fitoren 4:2 të së hënës ndaj Newcastle Unitedit e kishte zhvendosur tashmë fokusin në fitimin e një trofeu që i ka shpëtuar pas dy finaleve të humbura. Ai synon ta fitojë Kupën e Afrikës (AFCON).
Kapiteni i Egjiptit, Salah, do të largohet së shpejti nga Mbretëria e Bashkuar për t’u bashkuar me shokët e tij për kampionatin kontinental, që do të mbahet në Bregun e Fildishtë nga 13 janari deri më 11 shkurt. Turneu fillimisht ishte planifikuar për verën e vitit 2023, por u shty për shkak të sezonit të shirave në vendin pritës në Afrikën Perëndimore.
“Do të thotë shumë të luash në kombëtare. Është një ndjenjë e mrekullueshme sa herë që futesh në fushë me fanellën e kombëtares”, ka thënë Salah. “Jam i lumtur që do të jem atje, i lumtur që luaj në turne. Dua ta fitoj këtë turne me Egjiptin. Në fakt kam dëshirë të madhe ta fitoj këtë vit”.
Salah ka qenë pjesë e Egjiptit në dy finalet e humbura të AFCON-it – më 2017 si sulmues i ri dhe më 2021 si kapiten që me lot e pa skuadrën e tij të humbiste nga Senegali pas penalltive. Tani, si një lider i Egjiptit, Salah dëshiron ta fitojë këtë trofe, të cilin përfaqësuesja egjiptiane do ta rrëmbente për herën e tetë.
“Këtë herë dua ta fitoj dhe të kthehem te Liverpooli si triumfues, pasi dy finalet e humbura ende me dhembin shumë”, ka pranuar ylli i Liverpoolit.
Pavarësisht nga popullariteti në kontinentin afrikan të çmendur pas futbollit, Kupa e Afrikës ka qenë disi një turne i diskutueshëm në të kaluarën duke pasur parasysh se historikisht mbahet në mes të edicionit të futbollit në Evropë. Madje kjo ka bërë që klubet të sugjerojnë se nuk do të transferojnë lojtarë afrikanë duke pasur parasysh mungesën e tyre, pasi ata marrin pjesë në këtë ngjarje e cila organizohet çdo dy vjet.
Salah është pa dyshim largimi më i madh nga skena evropiane për këtë edicion të turneut të Kupës së Afrikës. 31-vjeçari ka ndihmuar Liverpoolin, i cili përfundoi i pesti edicionin e kaluar dhe nuk arriti të kualifikohej në Ligën e Kampionëve të UEFA-s, që të ketë një epërsi prej tri pikëve në krye të Premier Leagues që tani po hyn në pjesën e dytë të edicionit 2023/24. Salah do të jetë mungesë e madhe për Liverpoolin duke pasur parasysh se ka 20 gola e tetë asistime në kampionat. Madje, mungesën e tij për shkak të Kupës së Afrikës, trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, e quajti një “katastrofë të madhe”.
“Nëse duhet të marrim një vendim për sjelljen e një lojtari afrikan në klub atëherë ai është vendim masiv. Sepse para sezonit ju e dini që nuk e keni atë për të paktën katër javë,” shtoi Klopp, duke iu referuar lojtarëve që i mungojnë klubit për të marrë pjesë në AFCON.
Me skuadrën e Kloppit që kryeson ligën me një diferencë të vogël pikësh, situata ka bërë që edhe tifozët të mos ndihen mirë për mungesën e Salahut. Shkaku i Kupës së Afrikës, Salah pritet t’i mungojë Liverpoolit për shtatë ndeshje, nëse e ndihmon Egjiptin të arrijë në finale të turneut. Kjo do të thotë se ai nuk do të jetë në duelin kundër Chelseat (31 janar) dhe ndaj Arsenalit (4 shkurt).
“Sigurisht, më vjen keq që do t’i mungoj Liverpoolit për një periudhë, por unë ndiej obligim ta ndihmoj Egjiptin për ta fituar këtë turne. Mbi të gjitha jam kapiten i Egjiptit dhe pas dy finaleve të humbura mendoj se ka ardhur koha për ta ngritur këtë trofe”, është shprehur Salah.
Kjo është hera e fundit që Kupa e Afrikës mbahet në periudhën dimërore të Evropës. Konfederata e Futbollit Afrikan propozoi në vitin 2017 që AFCON-i të mbahej gjatë muajve të verës evropiane nga viti 2019 e tutje. Ndërsa edicioni i vitit 2019 në Egjipt u mbajt në qershor dhe korrik, turneu i vitit 2021 në Kamerun u shty në periudhën janar dhe shkurt 2022 për shkak të pandemisë dhe për të shmangur kushtet e pafavorshme të motit.
Egjipti bën pjesë në Grupin B, të cilin e përbëjnë edhe Kepi i Gjelbër, Gana e Mozambiku. Ndeshjen e parë në grup, Egjipti e luan më 14 janar kundër Mozambikut.



