“Safe City”, gjoba, dënime me burg dhe konfiskim i automjeteve për ngasje të pakujdesshme

Zbatimi i sistemit “qytet i sigurt”, gjoba dhe dënime me burg për “ngasje të pakujdesshme”, konfiskimi i automjeteve, testet e drogës në vendngjarje, regjistrimi automatik i mjeteve të paregjistruara, lidhja e sistemeve të MPB-së, gjykatave dhe prokurorive për sanksione të shpejta… Por edhe familja, e cila si faktor parandalues mund të jetë gjithashtu faktor rreziku, ndaj arsimi duhet të plotësojë atë që familja lë pas dore, pasi mungesa e kulturës së përgjithshme reflektohet edhe në trafik.
Këto janë disa nga mesazhet e debatit publik mbi nevojën për ndryshime në rregullativën ligjore për forcimin e sigurisë në trafik, i cili u mbajt dje në Kuvend, në kuadër të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve.
Në debat morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor, gjyqtarë, prokurorë publikë, organizata joqeveritare, media dhe aktorë të tjerë shoqërorë. Deputetët nuk u përfshinë në diskutim, ndërsa vazhdimi i debatit, ku do të paraqiten konkluzionet, do të caktohet më vonë.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, informoi se ministritë e drejtësisë dhe punëve të brendshme, gjyqtarët e Departamentit të Kundërvajtjeve në Gjykatën Penale të Shkupit dhe profesorë universitarë, po punojnë në zbatimin intensiv të ndryshimeve të reja ligjore në Ligjin për Kundërvajtjet dhe Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor. Në kuadër të këtij procesi, është formuar një grup pune për plotësimin e zgjidhjeve ligjore, me fokus të veçantë në reduktimin e numrit të aksidenteve rrugore.
Ndryshimet e reja në Ligjin për Kundërvajtjet do të përfshijnë një procedurë të veçantë për kundërvajtjet në fushën e sigurisë rrugore, të cilat do të detektohen përmes sistemeve elektronike, si sistemi “qytet i sigurt” (Safe City). Ky sistem do të mundësojë përcaktimin e shpejtë dhe të saktë të shkeljeve, duke reduktuar numrin e aksidenteve dhe duke siguruar një reagim më të shpejtë të autoriteteve. Kjo risi parashikon afate të shkurtra për procedurat gjyqësore, duke përshpejtuar procesin e drejtësisë, njoftoi ministri i drejtësisë.
Për shkelësit që do të kapen për herë të tretë në gjykatë, dhe në rastet e shkeljeve të rënda, si ngasja nën ndikimin e alkoolit ose tejkalimi i shpejtësisë, gjykata do të shqiptojë një sanksion që përfshin pezullimin e patentës së shoferit. Kjo do të thotë që shoferi nuk do të mund të marrë një patentë të re deri një vit pas hyrjes në fuqi të vendimit gjyqësor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, theksoi se rasti i Frosina Kulakovës na kujton një të vërtetë të hidhur – se gjatë vitit 2024 kemi humbur 142 jetë në aksidente rrugore.
Një nga problemet kryesore në sigurinë rrugore është hendeku i madh midis numrit të shkelësve të raportuar dhe atyre të dënuar. Ky sistem kompromisesh dhe “gjysmë-drejtësie” duhet të prishet dhe të vendoset një sistem kontrolli efektiv dhe sanksionesh të ashpra, veçanërisht për recidivistët.
“Për këtë nevojitet një rrjet institucional që mundëson shkëmbimin e shpejtë dhe efikas të të dhënave. Pikërisht për këtë arsye, si qeveri, po punojmë në digjitalizimin urgjent dhe ndërveprueshmërinë e sistemeve, në mënyrë që të gjitha të dhënat të jenë automatikisht të disponueshme për institucionet dhe askush të mos mund të shmangë përgjegjësinë. Kjo nuk është vetëm një ndryshim administrativ, por një reformë thelbësore që do të sjellë efikasitet dhe transparencë të vërtetë. Por nëse duam efikasitet të vërtetë, duhet të shohim edhe veten. Të pyesim veten sa prej nesh ulen pas timonit pasi kanë pirë disa gota alkool. Sa prej nesh tejkalojnë shpejtësinë, sa prej nesh shtojnë gazin kur semafori bëhet i verdhë në vend që të frenojnë, sa baballarë mburren se djemtë e tyre kanë mësuar të ngasin para se të marrin patentën, sa prej nesh kur kryejnë një shkelje, kërkojnë një mik për t’ua anuluar gjobën”, tha ministri.
Fokusi nuk duhet të jetë vetëm në ligjet dhe ashpërsimin e dënimeve, por në ndërtimin e një sistemi që eliminon mosndëshkimin. Ai theksoi se është e nevojshme të sigurohet që sanksionet të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm periodikisht, gjatë fushatave të MPB-së kur fokusi i publikut është më i lartë. Kjo mund të arrihet përmes digjitalizimit dhe automatizimit.
Kryetari i Këshillit Republikan për Sigurinë Rrugore, Goran Angelkovski, bazuar në të dhënat statistikore mbi aksidentet, shkaqet dhe pasojat e tyre, vlerëson se nevojitet forcimi i rregulloreve ndëshkuese, futja e pikëve negative për shkeljet më të rënda, rritja e efikasitetit të procedurave ndëshkuese, implementimi i sistemit “qytet i sigurt” dhe reduktimi i ndikimit të faktorit njerëzor në vendimmarrje për kundërvajtjet.
“Disa shkelje më të rënda në trafik duhet të kategorizohen si vepra penale, si tejkalimi i shpejtësisë mbi 70 km/h në zonat urbane ose mbi 100 km/h jashtë tyre, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit mbi 2 promilë ose drogës, drejtimi pa patentë dhe raste të tjera të rënda. Për këto vepra, propozohet konfiskimi i përkohshëm ose i përhershëm i automjetit”, tha Angelkovski.
Profesorja e Fakultetit Juridik, Gordana Lazeviq, theksoi se familja është baza e parandalimit në sigurinë rrugore. Sipas saj, familja është një faktor si parandalues, ashtu edhe rreziku, dhe arsimi duhet të plotësojë boshllëqet e saj.
Iniciativa për debatin publik u ndërmor pas rastit tragjik të Frosina Kulakovës, 22-vjeçares nga Negotina, e cila më 29 janar u godit për vdekje në një kalim këmbësorësh në Shkup nga 20-vjeçari Vasill Jovanov. I dyshuari, i cili kishte dosje të mëparshme për aksidente dhe përdorim droge, u vendos në paraburgim për 30 ditë.



