“Safe City” do të ketë tolerancë të përcaktuar, por jo për rastet kur shkaktohen aksidente ose dëmtohet dikush

Ministria e Punëve të Brendshme do të vendosë tolerancë të caktuar për shkeljet për tejkalimin e shpejtësisë në komunikacion. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, tha se toleranca nuk do të vlejë nëse shoferi ka kryer vepër penale me atë tejkalim shpejtësie, respektivisht nëse ka shkaktuar aksident në komunikacion apo ka lënduar dikë.
“Të dhënat botërore tregojnë se sa i përket drejtimit me një shpejtësi të caktuar, kur flasim për shpejtësi prej 50 dhe 60 kilometrash në orë, ato janë katastrofike! Domethënë, kur drejtohet me një shpejtësi prej 60 km në orë, pothuajse nuk kemi asnjë të mbijetuar, domethënë, nga 10 persona të lënduar, kemi 10 persona të vdekur. Me 50, nga 10 persona, kemi vetëm 2 të mbijetuar. Kur drejtohet me 30, atëherë nga 10 persona, kemi 8 të mbijetuar”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
E për shenjat e komunikacionit të cilat nuk përputhen me matjet që bëjnë kamerat, ku p.sh shenja është 70km/h ndërsa dënohesh nëse vozit më shpejtë se 50, ministri thotë se do të rishikohen shenjat e trafikut.
“Ne po punojmë për këtë gjatë gjithë kohës, vazhdimisht, kjo përfshin Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Transportit, Ndërmarrja Publike për Rrugë, brenda së cilës, le të themi është nën ombrellën e Ministrisë së Transportit, dhe institucione të tjera kompetente, po punojmë për këtë, dhe aty ku do të kemi kamera të instaluara, të gjitha shenjat e trafikut do të rishikohen paraprakisht”, shtoi Pançe Toshkovski – ministër i Punëve të Brendshme.
Sa i përket problemit me mesazhet të cilat u dërgohen në numrin e personave të tjerë, ndërsa shkeljet kryhen nga dikush tjetër, Toshkovski thotë se janë bërë parregullsi në të dhëna në kontrollin teknik. Për këtë paralajmëroi hapjen e një pike në Shkup, ku çdo qytetar do të mund shkojë ta lajmërojë gjobën e marrë gabimisht. /Tv21



