Sadiku në takim me Forumin e Gruas në Likovë: Gruaja, shtylla e fuqishme e ndryshimit

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Likovës, Nexhmedin Sadiku, zhvilloi një takim të veçantë me Forumin e Gruas në Likovë, ku morën pjesë zëvendëskryeministri Arben Fetai, deputete të Kuvendit, zëvendësministre, drejtoresha dhe aktiviste të angazhuara për fuqizimin e rolit të gruas në politikë dhe shoqëri.

“Takim i veçantë dhe frymëzues me Forumin e Gruas të koalicionit VLEN në Likovë, ku atmosfera ishte jashtëzakonisht pozitive dhe fituese,” u shpreh Sadiku.
Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në jetën publike dhe vendimmarrëse:

“Si kandidat për kryetar të Komunës së Likovës, pata kënaqësinë të ndaj vizionin tim për një qeverisje të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, ku gruaja zë vendin që i takon, jo vetëm në fushatë, por edhe në drejtimin e institucioneve lokale.”

Sadiku vlerësoi angazhimin e grave si një element kyç për suksesin e koalicionit:
“Ky takim ishte një dëshmi e qartë e rolit kyç që luajnë gratë në këtë proces si organizatore, vendimmarrëse, profesioniste dhe si shtyllë e fuqishme e koalicionit tonë. Prania dhe angazhimi i tyre aktiv është një garanci për suksesin që po ndërtojmë bashkërisht.”
Në fund, ai nënvizoi vizionin e VLEN-it për një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët e Likovës:
“Koalicioni VLEN beson se ndryshimi i vërtetë fillon me përfshirjen e të gjithëve, dhe gruaja është pjesë thelbësore e këtij ndryshimi. Me përkushtimin dhe energjinë që u dëshmua edhe në këtë takim, jemi të bindur se Komuna e Likovës do të ecë drejt një të ardhmeje më të zhvilluar për të gjithë.”



