Sa të ardhura do ketë Gjermania nga Euro 2024?
Euro 2024 do të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike afatshkurtra për Gjermaninë, veçanërisht në sektorët e turizmit, mikpritjes, transportit, shitjes me pakicë dhe shërbimeve, duke sjellë më shumë se dy miliardë euro, sipas përllogaritjeve të analistëve të platformës tregtare Freedom24.
“Ekonomia më e madhe e Evropës pritet të rritet me 0.3 për qind këtë vit, më ngadalë se vendet e tjera të mëdha të industrializuara, por kampionati i futbollit mund të ofrojë një nxitje afatshkurtër për sektorët e turizmit dhe shërbimeve. Gjermania vlerësohet të ketë më shumë se dy miliardë euro të ardhura, ku turizmi dhe mikpritja ka të ngjarë të kontribuojnë më shumë”, thekson analiza.
Gjithashtu thuhet se turneu i futbollit të skuadrave më të mira evropiane mund të ketë një efekt pozitiv psikologjik dhe indirekt në ekonominë gjermane. Ngjarje të tilla mund të rrisin ndjenjën kombëtare dhe të përmirësojnë imazhin e vendit pritës. Një kampionat evropian i suksesshëm, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ, mund të rrisë atraktivitetin e destinacionit, thuhet në konkluzione.
Rritja e vazhdueshme e të ardhurave
Duke parë rezultatet historike, të ardhurat nga kampionati europian i futbollit tregojnë rritje të vazhdueshme.
Kështu, në vitin 1992, në kampionatin e Suedisë, të ardhurat shtesë arritën në 40.9 milionë euro, katër vite më vonë në Angli, të ardhurat u rritën në 147.3 milionë euro, ndërsa në vitin 2008, me Zvicrën dhe Austrinë mikpritëse, të ardhurat arritën në 1.35 miliardë euro.
Ndërsa në Europianin e vitit 2016 në Francë, të ardhurat arritën në 1.92 miliardë euro dhe ishin afërsisht të njëjtat tre vjet më parë, pavarësisht sfidave të pandemisë. /tesheshi/