Sa para do të tërheqim nga Plani i Rritjes nga BE-ja do të varet nga reformat

Një paketë e re mbështetëse nga BE-ja, “e rëndë” gjashtë miliardë euro, u vihet në dispozicion vendeve të Ballkanit Perëndimor për rritjen e ekonomive të tyre dhe për gatishmëri më të madhe për të hyrë dhe integruar në tregun e përbashkët europian. Nga shuma totale, dy miliardë euro do të jenë grante, dhe katër miliardë euro do të jenë kredi që do të jepen me kushte të favorshme dhe me afat të gjatë shlyerjeje. Për të tërhequr dhe përdorur fondet, vendet do të duhet të përgatisin një agjendë reformash katërvjeçare, por edhe të zbatojnë konkretisht aktivitetet e përcaktuara në të, që do të nënkuptojnë një lëvizje reale përpara, transmeton Alfax.
Axhenda e reformave, në varësi të prioriteteve të përcaktuara nga secili vend veç e veç, mund të përfshijë fusha të ndryshme: transport, energji (burimet e rinovueshme të energjisë), infrastrukturë, sundim të ligjit, dixhitalizim… Reformat do të jenë objekt vlerësimi dhe fillimisht do të zbatohen dhe më pas, nëse do të jenë efektive, shteti do të marrë fondet nga paketa.
Siç u tha pas takimit të parë të sotëm ministror për të ashtuquajturin, Plani për rritjen e Ballkanit Perëndimor, axhenda e reformave duhet të hartohet në tre muajt e ardhshëm dhe paketa financiare do të bëhet funksionale nga pranvera e vitit të ardhshëm. Nga gjashtë miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, pothuajse 860 milionë do të jenë në dispozicion të Maqedonisë së Veriut. Madje, Plani nuk është i kushtëzuar dhe as nuk ka lidhje me ndryshimet kushtetuese.
Sasia e fondeve që do të përdorë çdo shtet do të varet nga reformat, pra nga përmbushja e tyre. Vendet që zbatojnë reformat më shpejt dhe më mirë do të kenë akses në fondet që nuk janë përdorur nga vendet që e shtyjnë procesin më ngadalë.
Sipas zëvendëskryeministrit Bojan Mariçiq, ky Plan i Rritjes është një investim konkret financiar dhe politik i BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Ne e shohim këtë si një dorë ndihmëse të BE-së për të përshpejtuar anëtarësimin tonë në Union deri në vitin 2030. Nuk na duhet një listë dëshirash, duhet një plan realist dhe i realizueshëm dhe në gjashtë muajt e parë do të tregojmë vullnet të mirë dhe vendosmëri për të bërë këto reforma të nevojshme. Treguesit janë Raporti i Progresit, raportet nga procesi i shqyrtimit dhe ato vëzhgime që kemi dhe të përcaktojmë afatet në të cilat duhet të plotësohen. Sigurisht që nuk presim që të zgjidhet gjithçka në gjashtë muajt e parë, do të jetë në disa faza, por me realizimin e fazës së parë do të vijë edhe pagesa e këstit të parë të mjeteve”, deklaroi Mariçiq.
Ministri i Financave Fatmir Besimi sqaroi se gjysma e mjeteve do të jenë për mbështetje buxhetore dhe gjysma për investime.
“Plani jep më shumë fokus, na jep mbështetje financiare që ta realizojmë më shpejt atë që tashmë e kemi si proces me BE-në”, tha Besimi. Bisedimet mbi planin e rritjes do të vazhdojnë në Bruksel javën e ardhshme.Alfax.



