Rusia: Rritet në 28 numri i viktimave në sulmin e kryer nga ushtria ukrainase në Lysychansk

Ministria e situatave emergjente të Rusisë njoftoi se është rritur në 28 numri i viktimave në sulmin e kryer nga ushtria e Ukrainës ndaj një furre në qytetin Lysychansk të rajonit Luhansk, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e ministrisë rikujtohet sulmi që ushtria ukrainase kreu dje ndaj një furre në qytetin Lysychansk.
“Numri i personave që kanë humbur jetën është rritur në 28. Janë shpëtuar 10 persona. Kanë humbur jetën 28 persona, përfshirë një fëmijë”, thuhet në deklaratë.
Në një deklaratë nga Komiteti Hetimor i Rusisë thuhet se ka filluar një hetim lidhur me ngjarjen dhe se sipas gjetjeve paraprake sulmi është kryer me multi-raketahedhësin HIMARS.
Ministria e situatave emergjente të Rusisë në deklaratën e saj të mëparshme tha se 20 persona kishin humbur jetën në sulmin e kryer nga ushtria ukrainase dje ndaj një furre në qytetin Lysychansk.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova deklaroi se dhjetëra civilë ndodheshin në furrë gjatë sulmit dhe se veprimi në fjalë është “sulm terrorist”.
Rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson të Ukrainës u aneksuan në mënyrë të paligjshme me një dekret të nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin më 30 shtator 2022.

