Rusia paralajmëron: Deponia e mbetjeve bërthamore në Ukrainë arrin nivele të pasigurta

Rusia ngriti sot alarmin për deponinë e mbetjeve bërthamore në Ukrainë e cila ka arritur nivele të pasigurta, duke paralajmëruar për mundësinë e lartë që rreth 12 milionë tonë mbetje radioaktive të hyjnë në lumin Dnieper dhe në ujërat nëntokësore, raporton Anadolu.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se “situata me deponinë e mbetjeve të rrezikshme bërthamore në Ukrainë po merr karakter katastrofik”.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ministrisë, Zakharova tha se vëllimi i mbetjeve bërthamore në uzinën kimike “Prydniprovsky” që ndodhet në qytetin Kamianske, ka arritur në 42 milionë tonë.
“Uzina u ndërtua gjatë epokës sovjetike dhe përpunon mbetjet që aktualisht ruhen në 9 vendgrumbullime të hapura që përmbajnë mbetje të ulët radioaktive të ngjashme me rërën. Këto mbetje janë burim i rëndësishëm dhe i rrezikshëm i ndotjes së mjedisit. Ekziston probabilitet i lartë që rreth 12 milionë tonë mbetje radioaktive të hyjnë në lumin Dnieper dhe ujërat nëntokësore si rezultat i erozionit të mundshëm të digës në një nga depot që ndodhet 800 metra nga lumi dhe dega e tij Konoplyanka”, tha Zakharova.
Ajo theksoi se rreth 14 tonë pluhur radioaktiv i bart era në të gjithë zonën çdo vit, duke ndotur tokat bujqësore.
“Sipas informacionit tonë, Kievi nuk cakton fonde për të garantuar sigurinë mjedisore të objekteve të uzinës kimike ‘Prydniprovsky’, e cila në fund të fundit, mund të çojë në fatkeqësi mjedisore jo vetëm në territorin e kontrolluar nga regjimi i Kievit, por edhe përtej kufijve të saj”, tha ajo.
Shqetësimet për gjendjen e rëndë të uzinës janë ngritur prej shumë vitesh pa asnjë përgjigje nga zyrtarët.