Rusia nis sulme të ashpra ajrore në gjithë Ukrainën
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha njoftoi se ushtria ruse ka kryer një nga sulmet më intensive ajrore në shumë qytete të Ukrainës.
“Rusia nisi një nga sulmet më intensive ajrore ndaj qyteteve të qeta, civilëve të fjetur dhe infrastrukturës kyç me dronë dhe raketa,” tha Sybiha në një postim në rrjetin social X.
Ai shtoi se sulmi rus ishte një përgjigje ndaj zyrtarëve evropianë që kohët e fundit telefonuan presidentin rus Vlladimir Putin.
“Na duhet paqe me forcë dhe jo me qetësim,” theksoi shefi i diplomacisë ukrainase.
Autoritetet njoftuan se sistemet e mbrojtjes kundërajrore u aktivizuan në shumë qytete të Ukrainës dhe shpërthime ndodhën në kryeqytetin Kiev, Dnjepr, Zaporizhja dhe Krivij Rih.
Është raportuar se të paktën dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën në Mikolajv.